Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet gjatë një vizite të mundshme në Shtetet e Bashkuara, pas deklaratave të kryebashkiakut të New Yorkut, Zohran Mamdani, se po shqyrtonte mundësinë ligjore për një veprim të tillë.
“Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë, formë apo rrethanë, derisa të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump në platformën e tij sociale Truth Social.
Trump nuk e përmendi drejtpërdrejt Mamdanin në reagimin e tij, por vlerësoi rolin e Izraelit në luftën kundër Iranit.
Diskutimi për një arrestim të mundshëm nisi pasi Mamdani tha gjatë fundjavës se administrata e tij po shqyrtonte nëse kishte autoritet ligjor që policia e New Yorkut të ndalonte Netanyahun, në rast se ai viziton qytetin në shtator për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Besoj se kryeministri Netanyahu i përket Hagës”, tha Mamdani, duke iu referuar qytetit holandez ku ndodhet Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila në nëntor të vitit 2024 lëshoi një urdhër arresti ndaj Netanyahut.
Mamdani e cilësoi Netanyahun si “kriminel lufte” dhe tha se po konsultohej me departamentin ligjor të qytetit për të kuptuar nëse kishte kompetencë që të urdhëronte policinë e New Yorkut për arrestimin e një lideri të huaj.
“Çfarëdo që ligji më lejon të bëj në New York, atë do ta bëjmë”, deklaroi ai, raporton The Guardian, transmeton Sinjali.
Gjykata Penale Ndërkombëtare kishte lëshuar urdhër arresti ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, përfshirë përdorimin e urisë si metodë lufte dhe akte të tjera të rënda. Izraeli i ka kundërshtuar këto akuza.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!