Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Një rast i tillë është raportuar dje në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson i dyshuari kishte shkaktuar një aksident trafiku në rrugën ‘Ismail Kryeziu’ dhe si pasojë njësitë policore kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Aty kanë hasur në të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion që të intervistohet nga zyrtarët policorë, por që i njëjti papritmas kishte bërë veprime të dhunshme.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se 24-vjeçari ka sulmuar fizikisht një polic të cilin e ka goditur me grushte, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore. Zyrtari policor si pasojë e lëndimeve ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sinjali mëson se si pasojë e goditjeve, ai ka pësuar krisje në hundë, për çka edhe kanë nisur hetimet për ‘Lëndim të rëndë trupor’ ndaj të riut.
Po ashtu me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet edhe nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.