Komandanti i stacionit të Prizrenit, me gradën major, Qamil Kroni dhe komandanti i nënstacionit policor të Zhurit, me gradën e rreshterit, Ziber Susuri, do të kthehen në punë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali merr vesh se atyre u është ndërprerë suspendimi i parakohshëm dhe që të dy do të rikthehen qysh nesër në punë.
Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga drejtoria e policisë në Prizren.
“Po, është e vërtetë. Nga e hëna fillojnë punën”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kroni dhe Susuri ishin suspenduar në prill të këtij viti, me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim ndikimi”.
Dy eprorët policorë dyshohen se kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik, duke ndryshuar nenin dhe paragrafin, e më pas edhe gjobën.
Ata dyshohen ia kanë ulur dënimin kundërvajtëses nga 200 euro në 50 euro, si dhe ia kanë kthyer patentë shoferin që i ishte konfiskuar nga policia.
Burimet e Sinjalit brenda IPK-së bëjnë të ditur se Susuri dyshohet e ka ndryshuar nenin dhe gjobën. Ndërkaq, këto burime bëjnë të ditur se komandant Kroni dyshohet se i ka bërë presion policit që e ka shqiptuar gjobën, që ta ndryshojë atë.
Ata dyshohen se gjatë ndërhyrjes së paautorizuar kanë larguar edhe pikët negative të shqiptuara, si dhe kanë revokuar ndalesa për vozitje dhe konfiskimin e patentë shoferit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/