Me vendim të U. D. të drejtorit të Përgjithshme e Policisë së Kosovës, koloneli Milorad Çorac deri dje drejtor i Divizionit të trajnimeve është caktuar për drejtor të Policisë në Veri të Mitrovicës, por ai nuk e ka pranuar këtë pozitë, raporton Gazeta Sinjali.
Çorac e ka pranuar se është e vërtetë që i është ofruar ajo pozitë, por nuk është pajtuar dhe nuk e ka pranuar dhe për këtë ka njoftuar autoritetet në Prishtinë.
I kontaktuar nga Gazeta Sinjali koloneli Milorad Çorac, nuk ka dashur të flas lidhur me këtë çështje.
Kjo ka ndodhur pas suspendimit të drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriqit me 3 nëntor, i cili refuzoi t’i bindej vendimit për fletëqortime ndaj personave që nuk do t’i kthenin targat ilegale të veturave në targa RKS.
Derisa ligjërisht tash tre ditë këtë pozitë e ushtron zëvendës drejtori Besim Hoti deri në emërimin e drejtorit të ri.
Në bazë të marrëveshjeve të Brukselit, komandanti në veri duhet të jetë nga nacionaliteti serb.
Kjo drejtori ka në strukturën e saj katër stacione policore dhe tre nënstacione policore. Stacioni policor Mitrovicë-Veriu, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe nënstacionet policore në Çabër, Bistricë dhe Lip. Kjo drejtori ka katër qytete dhe 176 fshatra. Ka popullatë me përkatësi etike të përzier.
Gazeta Sinjali, ka kontaktuar udhëheqësit e lartë të Policisë së Kosovë dhe Ministrisë së Brendshme, por asnjëri nuk janë përgjigjur.