image Tubimet partiake pa maskë e distancë, pas dy jave pritet të shihen efektet e para

Kosovë

Tubimet partiake pa maskë e distancë, pas dy jave pritet të shihen efektet e para

news image

Thirrjeve të vazhdueshme të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për respektimin e masave antiCOVID nuk po i përgjigjen partitë politike.

Përkundër situatës pandemike në vend, ata tashmë kanë nisur fushatën parazgjedhore ku po organizojnë tubime pa maska e pa distancë, me qindra të pranishëm.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, në ambiente të mbyllura lejohen vetëm 30 persona, ndërsa në hapësira publike deri në 50, gjithmonë duke respektuar masat kundër COVID-19.

Infektologu Ilir Tolaj thotë se takime të tilla të shumë personave ku nuk respektohen as masat që parandalojnë përhapjen e pandemisë, paraqesin rrezik potencial për shtim të shifrave të të prekurve me COVID-19. Sipas tij, efekti i këtyre tubimeve do të shihet vetëm pas më shumë se 2 javëve prej kur po mbahen aktivitetet partiake.

Çdo grumbullim i njerëzve pa respektuar masat mbrojtëse dhe në tubimet që zgjasin më shumë se gjysmë ore, me siguri që janë rrezik potencial që me u përcjell infeksion në mesin e atyre njerëzve. Prandaj, mos respektimi këtyre masave pas vetes sjell një rrezik të shtimit të numrit të këtyre rasteve. Efektet e këtij aktiviteti të shtuar të grumbullimit të njerëzve për qëllime paraelektorale mund të shihen diku pak para datës së zgjedhjeve”, theksoi Tolaj.

Tubime të tilla që po organizohen nga të gjitha partitë politike në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve po vlerësohen si papërgjegjësi politike.

Besim Kodra nga kjo shoqatë thotë se është e papërgjegjshme që subjektet politike për qëllime të përfitimit të votave t’ua rrezikojnë shëndetin qytetarëve.

“Kjo është një parafushatë e papërgjegjshme e partive politike të cilat i ftojnë qytetarët për të marrë pjesë në tubime masive dhe po ua rrezikojnë shëndetin e tyre. Është sjellje e papërgjegjshme t’u thuhet qytetarëve se do të ndërtojmë një sistem ligjor duke shkelur ligjin, është sjellje e papërgjegjshme t’u prezantosh programin për rregullim të shëndetësisë duke i rrezikuar qytetarëve shëndetin“, tha Kodra.

Ndërsa, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi ka deklaruar se inspektorët e këtij institucioni janë të pakompromisë ndaj atyre që nuk zbatojnë ligjin antiCOVID. Sipas tij, inspektorët e AVUK-ut shqiptojnë gjoba për subjektet afariste që shkelin masat kundër pandemisë.

Kudo që kemi hasur në grumbullimin e njerëzve mbi numrin e lejuar, apo çfarëdo lloj organizimi nëpër subjekte afariste të gastronomisë inspektori në secilin rast ka vepruar konfrom ligjit në fuqi dhe vendimeve të qeverisë. Kemi një numër të madh të masave ndëshkimore gjithmonë për subjekte afariste të cilat e kanë shkelur ligjin”, tha ai.

Kosova tashmë është prekur edhe nga varianti britanik i COVID-19, me tri rastet e para të konfirmuara. Ndërsa, me variantin COVID-19 në Kosovë vetëm në 24 orët e fundit pozitiv kanë rezultuar 285 raste, ndërsa 5 qytetarë e kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me COVID-19./Gazeta Sinjali/