image Trippier drejt Manchester United, problemi vetëm Atletico

Futboll

Trippier drejt Manchester United, problemi vetëm Atletico

news image

Pas dy sezonesh me fanellën e Atleticos së Madridit, Kieran Trippier ka vendosur të rikthehet në Angli dhe ka nisur kontaktet me Manchester United, klub që ka shfaqur interes të fortë për ta transferuar në “Old Trafford”.

Anësori ka zbuluar për shokët e tij në përfaqësuesen angleze se dëshiron rikthimin në Premier League dhe se ka një marrëveshje me Manchester United, por tashmë duhet që dy klubet të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Trippier iu bashkua Atleticos verën e 2019-ës dhe firmosi një kontratë 3-vjeçare, duke u bërë i pari anglez që vesh fanellën e Los Colchoneros, teksa sezonin e fundit luajti plot 35 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe u shpall edhe kampion në La Liga.

Nga ana tjetër drejtuesit e Manchester United kanë një akord paraprak me futbollistin dhe i kanë premtuar atij kompletimin e transferimit, por fillimisht janë përqendruar të sjellin në “Old Trafford” francezin Raphael Varane, për të cilin po negociojnë me Realin e Madridit prej javësh.

Nëse transferimi i Trippier te “djajtë e kuq” do të përfundojë me sukses, atëherë Ole Gunnar Solskjaer do të propozojë në formacion të njëjtët mbrojtës krahu që luajtën edhe për Anglinë, pra 31-vjeçarin nga Bury dhe Luke Shaw, të cilët bënë paraqitje mjaft të mirë edhe në Euro 2020. /Gazeta Sinjali Sporti/