Gjatë protestës së së premtes në kryeqytetin irakian, forcat e sigurisë i qëlluan turmat e njerëzve, duke vrarë tre protestues dhe plagosur 30 të tjerë, konfirmuan burimet spitalore.
Këto protesta kanë nisur qysh në muajin e kaluar dhe në to kanë mbetur të vrarë mbi 340 njerëz, ndërsa të plagosur mijëra.
Me javë të tëra, protestuesit në Bagdad po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, duke e fajësuar atë për korrupsion dhe për përkeqësimin e kushteve të jetesës.
Autoritetet, në disa raste, kanë thënë se problemet e Irakut “nuk mund të zgjidhen brenda natës”.
Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë, por niveli i përgjithshëm i varfërisë qëndron në mbi 20 për qind të popullsisë.
Papunësia e të rinjve është 25 për qind – dyfishi i nivelit të përgjithshëm./Gazeta Sinjali/