image Tragjike: Vdes 48-vjeçari nga Podujeva pasi rrokulliset traktori

Siguri

Tragjike: Vdes 48-vjeçari nga Podujeva pasi rrokulliset traktori

news image

Sot një 48-vjeçar nga fshati Potok i Podujevës ka vdekur si pasojë e rrokullisjes me traktor, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se me të marrë informacionin, Policia e Kosovës dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 11:00 është raportuar për një rast, lëndim i rëndë trupor, në fshatin Potok të Podujevës. Me të marrë informatën policia dhe ekipi mjekësor  ka dalë  në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

Ajo gjithashtu ka deklaruar se nga të dhënat fillestare, dyshohet se një traktor derisa ka qenë në lëvizje në terren malor, është rrokullisur.

“Mbështetur në të dhënat fillestare dyshohet se një traktor deri sa ishte në lëvizje në një terren malor, për shkaqe akoma të panjohura deri tani, është rrokullisur. Në këtë rast një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të rënda trupore që i janë shkaktuar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.”

Ahmeti bëri të ditur se trupi i pajetë i 48-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Trupi i pajetë i viktimës F.K mashkull 48 vjeç është dërguar për obduksion ndërkohë që policia po e heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe  po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, ka thënë Ahmeti.

/Gazeta Sinjali/