Tirana do të jetë qyteti mikpritës për takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, që kësaj here veç Këshillit të Atlantikut do të përfshihet edhe Komisioni Evropian.
Për dy ditë, të hënën dhe të martën e 20 dhe 21 dhjetorit liderët e tre vendeve të përfshira në këtë proces, kryeministri Edi Rama, kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbime dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje.
Zaev dhe Vuçiqi të shoqëruar nga disa ministra të tyre dhe krerët e dhomave të tregtisë së vendeve të tyre do mbërrijnë në Tiranë pasditen e të hënës.
Ditën e parë është parashikuar një darkë zyrtare në një resort në qytetin e Elbasanit, i njëjti ku u zhvillua mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ku do jenë të pranishëm dhe një përfaqësues i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacioni Shoqëri e Hapur. Të martën takimi do të nis në orën 09:00 në pallatin e Brigadave.
Ekipeve të tre vendeve do t’iu bashkohet dhe komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi online, si dhe drejtori i CEFTA-s, Emir Djikiq, si dhe Majlinda Bregu si sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Marrëveshja e parë që do të nënshkruhet nga Rama, Vuçiq e Zaev është për kushtet për aksesin e lirë në tregun punës.
Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me: skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, për njohjen e ndërsjellët për operatorët ekonomik, raporton tvklan.
Takimi i Tiranës mbyllet me konferencën e përbashkët për shtyp të tre liderëve. Në ditën e parë të këtij samiti një pjesë e opozitës shqiptare e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha ka lajmëruar një protestë përpara kryeministrisë kundër nismës “Open Ballkan”./GazetaSinjali/