Lidhur me mbledhjen e mbajtur sot mes dy qeverive të realizuara në Prishtinë, është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Kurtit, aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet që të lidhet bashkëpunimi institucional në çdo fushë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti shkroi se: “mbledhjen e tetë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e mbajtëm në Prishtinë.Aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë. Bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit”.
Kurti theksoi se me këtë qëllim, në mbledhjen e sotme u nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore.
“Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.Teksa qëndrojmë të përbashkuar, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta”.