Një 20-vjeçar është therur me thikë mbrëmë pas mesnatës në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari 22-vjeçar (emër i njohur për redaksinë), i cili është arrestuar nga Policia, e ka therur me thikë në shpatullën e krahut të majtë 20-vjeçarin, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se Policia ka sekuestruar thikën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
Sipas burimeve, viktimës i është ofruar tretmani mjekësor nga ekipi i Emergjencës dhe i njëjti është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar në Departamentin e Krimeve të Rënda, me urdhër të së cilit rasti është cilësuar si ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve’.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa viktima pas tretmanit mjekësor është liruar nga spitali dhe është intervistuar lidhur me rastin.