Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore kanë konfiskuar pasurinë e 8 tatimpaguesve, të cilët nuk kanë paguar tatimin. Vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është afro 184 mijë euro.
“Administrata Tatimore e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar aksion për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve, të cilët nuk kanë përmbush kërkesat ligjore të ATK-së, në pagesën e borxheve në afatin e përcaktuar, si dhe nuk i janë përgjigjur paralajmërimeve të ATK-së, se do të ndërmerren veprimet e mbledhjes së detyrueshme të tatimeve, përmes konfiskimit të pasurisë”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
Siç njofton ATK-ja, ata kanë arritur të mbledhin gjithsejtë 83.6 milionë euro borxhe, që në krahasim me vitin e kaluar është zvogëluar borxhi për 21 milion euro.
Përveç konfiskimit të pasurisë, aksioni do të shtrihet edhe në mbledhjen e të gjitha gjobave mandatore, të cilat janë të pa-paguara, thuhet në komunikatë.
ATK njofton se aksion të ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, dhe i ka ftuar të gjithë tatimpaguesit borxhlinj që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve dhe i procedurave të mbledhjes së detyrueshme./Gazeta Sinjali/