Policia e Kosovës brenda dhjetë orëve ka arrestuar dje tetë persona ndaj të cilëve gjykatat e vendit kishin lëshuar urdhërarrest, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas raportit 24 -orësh të policisë, i kërkuari i parë u arrestua në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë, dje rreth orës 09:10. Ai është dërguar në vuajtje të dënimit në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.
Në orën 12:00 në rrugën “De Rada” në Prizren, në prangat e policisë ra edhe personi i dytë i kërkuar, i cili u dërgua në qendrën e paraburgimit në këtë qytet.
Vetëm një orë më vonë, në fshatin Shakovicë të Graçanicës, u arrestua edhe një i kërkuar, për t’u dërguar pastaj në qendrën e paraburgimit në kryeqytet.
Në orën 14:00, policia arrestoi edhe personin e katërt të kërkuar. Sipas policisë, ai u kap në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë dhe u dërgua në qendrën e ndalimit policor.
Po në këtë rrugë, në orën 16:00 u kap edhe një i kërkuar tjetër, i cili u dërgua në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.
Ndërkaq, 20 minuta më vonë, rreth orës 16:20 në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë u arrestua personi i gjashtë i kërkuar, i cili përfundoi në qendrën e ndalimit policor.
Personi i shtatë ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest nga gjykata u kap në fshatin Barilevë të Prishtinës, rreth orës 16:50 dhe i njëjti u dërgua në vuajtje të dënimit në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.
Ndërkohë në orën 19:00 u bë arrestimi i fundit i personit të kërkuar. Ai u prangos në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, për t’u dërguar më pas në qendrën e paraburgimit në Prishtinë./Gazeta Sinjali/