Punëtorët e KEK-ut do të protestojnë edhe njëherë sot nga ora 12:00 kundër ligjit për paga të miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe pro rivitalizimit të termocentralit “Kosova A”.
Kërkesat e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës shpesh nuk kuptohen, pasi jo të gjithë e dinë se si ndikon ligji i ri për pagat dhe ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” te qytetarët dhe te punëtorët e kësaj ndërmarrjeje. Për t’i sqaruar kërkesat e punëtorëve dhe dëmin që u vjen qytetarëve nga termocentrali i ri “Kosova e Re”, Gazeta Sinjali ka biseduar me nënkryetarin e Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnicën.
Kjo nuk është protesta e parë e punëtorëve të KEK-ut, kërkesat e të cilëve i sqaron përfaqësuesi i tyre, Nexhat Llumnica. Fillimisht, Llumnica ka treguar se si i klasifikon punëtorët e KEK-ut ligji për pagat.
“Ne kemi bërë edhe protesta tjera për të njëjtën kërkesë, heqjen e amandamenteve nga ligji i pagave, aty ku përfshihen edhe punëtorët e KEK-ut për arsye se ne nuk jemi punëtorë të shërbimit civil apo administrativ. Ne jemi pumëtorë të termocentraleve dhe minierave dhe ne e kemi një buxhet në vete që KEK-u e prodhon, nuk e merr prej shtetit. Nuk ka asnjë ndërmarrje botërore publike as private që mund të hyjë në ligjin për paga, e kjo ka ndodhë vetëm në Kosovë për arsye të inateve të partive politike”, thotë Llumnica.
“Ne e kemi shqetësimin pasi e kemi një informatë jozyrtare se si kanë me qenë pagat e KEK-ut. Kemi kontaktu edhe me menaxhmentin e KEK-ut që as nuk e ka pohu dhe as nuk e ka mohu këtë dhe punëtorët e KEK-ut janë të shqetësuar. Nga këto informata që i kemi, pagat e punëtorëve kanë me qenë nga 1.2 deri në 7, që për punëtorët tanë janë të papranueshme. Ne kemi rreziqe të mëdha në punë. Janë pak punëtorë të KEK-ut ata që e shijojnë pensionin për shkak të rreziqeve që janë në termocentral dhe në miniera. Nuk ka asnjë arsye për me qenë pagat si të shërbyesve civilë apo atyre në administratë publike. Ne prodhojmë energji elektrike”, ka sqaruar më tej nënkryetari i kësaj sindikate.
Ai ka paralajmëruar se ekspertët e KEK-ut mund të ikin nga Kosova nëse qeveria nuk bën asgjë për kërkesat e tyre.
“Ekspertët tanë mund të ikin tani. Janë inxhinierët ata që nuk mund të rrijnë në vendet e punës kur nuk kanë një pagë të mirë apo të dinjitetshme. Deputetët e Parlamentit të Kosovës e kanë vlerësuar shumë më lartë edhe pse ata punojnë për gënjeshtrat e tyre dhe ne prodhojmë energji elektrike. Ata i kanë vlerësu me koeficiontin 8, kurse punëtorët e KEK-ut i kanë lënë prej 1 deri në 7. Kjo e cenon edhe ekonominë e tregut të lirë dhe është edhe antikushtetuese, por si duket këta e shkelin edhe kushtetutën”, thotë Llumnica.
Llumnica ka folur edhe për kërkesën e dytë të tyre, rivitalizimin e termocentralit “Kosova A”. Sipas tij, me ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”, po zhvaten qytetarët e shteti, si dhe po preken punëtorët e KEK-ut.
“Jemi pro revitalizimit të “Kosovës A”. Ne kemi pasë prej qeverisë së Kosovës që e kemi pa një kontratë që kushton 1.3 miliard euro e që prodhon 400 megavat energji elektrike, kurse rivitalizimi i “Kosovës A” me 20 vite garancion ndodhë me 400 milionë euro ku mund të prodhohen 600 megavat energji elektrike. Është kontratë e dëmshme sepse shitja e energjisë nga termocentrali i ri është 80 euro megavati, kurse KEK-u prodhon dhe e shet mesatarisht 31 euro megavatin tani. Dmth është e dëmshme edhe për qytetarin. Gjatë 20 viteve të ardhshme, për termocentralin e ri duhet të paguhen nga qytetarët 6 miliardë euro, kurse nëse i prodhon të njëjtët megavatë nga termocentrali “Kosova A”, kushton 2 milioardë 350 milionë euro”, thotë ai.
Sipas Llumnicës, 1 mijë persona mbesin të papunë me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe mosrevitalizimit të termocentralit “Kosova A”.
“Të gjitha statistikat na tregojnë që kjo është edhe në të mirë të qytetarëve, edhe në favor të punëtorëve të KEK-ut, pasi mbesin 1 mijë persona pa punë”, ka sqaruar në fund Llumnica.
Ligji i shumëdiskutueshëm për pagat është miratuar në Kuvendin e Kosovës në shkurt të këtij viti. Ndërkaq, tani kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, në vitin e parë si kryeministër, në dhjetor të vitit 2017, nënshkroi marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kompaninë amerikane Contour Global , i cili gjithashtu nuk gjeti mbështetje në rrafshin social. /Sinjali