image Tentuan t’i ikin Policisë dhe hodhën drogën nga vetura, katër të rinj kapen me heroinë në Mazgit

Siguri

Tentuan t’i ikin Policisë dhe hodhën drogën nga vetura, katër të rinj kapen me heroinë në Mazgit

news image

Foto ilustruese


Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje pasdite në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka hasur në një veturë e cila nuk i është bindur urdhrit për ndalje.

Sinjali mëson se zyrtarët policorë i janë vënë pas veturës në fjalë dhe kanë vërejtur se gjatë kohës që po lëvizte, personat që ndodheshin brenda veturës kanë gjuajtur diçka të dyshimtë jashtë.

Vetura është arritur që të ndalet dhe katër personat që ndodheshin në veturë i janë nënshtruar kontrollit trupor nga Policia. Po ashtu zyrtarët policorë kanë kryer ekzaminimet në vendin ku dyshohej se është hedhur diçka e dyshimtë, ku kanë gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tyre me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

/GazetaSinjali/