Me tensione është duke u zhvilluar seanca e Kuvendit Komunal në Gjakovë shkaku i kthimit të një shtetases serbe në këtë komunë, shkruan Gazeta Sinjali.
Mimoza Shala nga Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar pushtetin komunal se kanë bërë shkelje të procedurave dhe i kanë dhënë në shfrytëzim pronën komunale gjegjësisht një apartament një shtetases serbe e cila është kthyer nga Serbia për të jetuar në Gjakovë.
Sipas nuk mund që të ketë kthim të qëndrueshëm të serbëve në Gjakovë përderisa nuk sjellën para drejtësisë ata të cilët kanë kryer krime dhe të gjenden të zhdukurit.
“Problemi qëndron se në vendin e krimit janë kthyer kriminelët do të thotë janë faktet janë emrat dhe mbiemrat e atyre të cilët kanë tentuar që të kthehen. Të gjithë e dijme sa krime kanë bërë secili nga serbët që kanë jetuar në komunën e Gjakovës. Nuk njoh serbë të cilët kanë shpëtuar pa bërë krime në komunën tonë. Shtoja problematikën tjetër që nuk janë kryer procedurat ligjore për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Komuna toleron me shkel procedurat dhe i jep në shfrytëzim pronën asaj serbe për të cilat ka informacione se ka punuar në SUP (Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë). Qyteti i Gjakovës është plaga e hapur”, ka thënë ajo.
Kurse nga subjekti politik “Alternativa”, Ali Tafarshiku, ka deklaruar se komuna duhet të ofrojë sqarime për shkeljet të cilat kanë ndodhur ku prona komunale është dhënë duke mos respektuar kriteret. Ai ka thënë se shtetasja serbe është kthyer në Gjakovë dhe për këtë çështje nuk ka pasur asnjë njoftim.
“ Thu tash që ne jemi detektiva dhe dëshirojmë të zbulojmë fajtorin. Pse nuk kemi reaguar më herë është se ne nuk kemi pasur informata dhe është mediumi nga Gjakova që na ka hedhur tush të ftohtë dhe na ka barë të vetëdijshëm që në Gjakovë po ndodhin këto gjera kurse ne jemi në gjumë. Asnjë bazë ligjore nuk ka ajo për shfrytëzimin e asaj banese”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/