Sot Gjykata Themelore e Gjilanit do të marrë vendim për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 5 të dyshuarve Valdrin Halimi, Erdonis Nuredini, Rabit Idrizi, Ardit Sylejmani dhe Blerim Kurti për vrasjen e të riut Egzon Rafuna në Gjilan.
Të dyshuarit tashmë janë dërguar në Gjykatë, ndërkohë që seanca ende s’ka filluar, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali dje publikoi detaje nga kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për këtë rast.
E gjithë ngjarja, dyshohet se ndodhi rreth orës 20:40, në rrugën “Ramize Gjebreja” të lagjes Arbëria, afër shtëpisë së viktimës, Egzon Rafuna, pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi në të holla. Gjatë përleshjes, të dyshuarit kanë gjuajtur 7 herë me dy armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku ka mbetur i vdekur i riu 22-vjeçar.
Tutje thuhet se Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur një armë që dyshohet se është përdorur nga viktima Egzon Rafuna dhe një armë tjetër me dy fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga i dyshuari që u plagos Valdrin Halimi. Përveç dy armëve, në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja, tre telefona mobilë, një pako me substancë të dyshuar narkotike, një qese marihuanë dhe një veturë e tipit Golf 2.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.