Sot mbushen dy javë qëkur në Komunën e Malishevës nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus dhe të gjitha mostrat e testeve të bëra kanë rezultuar negative, duke e rritur kështu shpresën se nuk do të ketë raste të reja.
Aktualisht në Komunën e Malishevës janë edhe tre pacientë aktivë me COVID-19, të cilët pritet të shërohen.
Nënkryetari Hajdin Berisha ka falënderuar qytetarët për disiplinën e treguar gjatë kësaj periudhe, duke iu bërë thirrje që të vazhdojnë t’i zbatojnë masat për mbrojtje nga COVID-19.
“Sot u bënë dy javë që nuk kemi raste të reja me COVID-19, por kjo nuk na jep asnjë të drejtë që të lirohemi nga kjo gjendje, pasi ende jemi në situatë të gjendjes emergjente në shëndetësi, për shkak të COVID-19 dhe virusi ende është përreth nesh. Ta ruajmë qetësinë dhe të vazhdojmë të sillemi ashtu siç na udhëzojnë institucionet përgjegjëse shëndetësore në vend, në mënyrë që sa më shpejt të dalim nga kjo situatë”, tha Berisha.
Ndryshe, Komuna e Malishevës ka 76 raste me COVID-19, prej tyre 72 të shëruar dhe një me fatalitet./GazetaSinjali/