image Suma thotë se krahasimi mes Kosovës dhe Ukrainës nuk vlen: Ne nuk kishim as kuaj për të bartur armë

Politikë

Suma thotë se krahasimi mes Kosovës dhe Ukrainës nuk vlen: Ne nuk kishim as kuaj për të bartur armë

news image

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka thënë se kjo nuk është Kosova ajo për të cilën është luftuar.

Fajtor për këtë gjendje, Suma e lë elitën politike kosovare, teksa tha se nëse faktori politik shqiptar është i vendosur, mund të bëhet gjithçka, por nëse jo atëherë edhe pavarësia mund të humbet.

Tutje, Suma tha se me lavdërimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky nëpër rrjete sociale, po nënçmohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Çdo shqiptar është i gatshëm që kur thërret atdheu t’i dal në ndihmë. Ajo çka më së shumti na pengon neve është kur në rrjete sociale aq shumë madhërohet lideri ukrainas dhe në një mënyrë nënçmohet lufta e UCK-së”, ka thënë Suma.

Ai tha se ka një diferencë të madhe mes Ukrainës e Kosovës e nuk kanë asgjë të përbashkët, sepse sipas tij, Ukraina ka një popullsi me mbi 40 milionë banorë e ushtri të fortë me armatim modern, ndërsa ai thotë se në kohën e luftës së UÇK-së, ata s’kishin as kuaj për të bartur armatim.

“Është një diferencë e jashtëzakonshme dhe një reagim jo i mirë i qytetarëve sepse nëse e krahasojmë Ukrainën me Kosovën, s’ka aspak të përbashkët sepse Ukraina ka mbi 40 milionë njerëz dhe një ushtri të fortë e armatim modern. Ndërsa kur është në pyetje lufta e UCK-së, ne s’kemi pasur as gomarë e kuaj për të bartur armatim e mos të flasim për tanke e kamionë që t’i dalim përballë Serbisë”, ka thënë Suma për Klankosova.

/GazetaSinjali/