Një tentim-vrasje me armë zjarri ka tronditur orët e para të mëngjesit në kryeqytet, ndërsa i dyshuari vazhdon të jetë në kërkim nga Policia e Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20, në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë.
Fillimisht, në vendin e ngjarjes policët kanë hasur E. M. rreth 24-vjeçaren, e cila kishte deklaruar se kishte shtënë me armë zjarri. Ajo është shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejshme, ndërsa në vendngjarje është sekuestruar një gëzhojë.
Por, vetëm pak minuta më vonë, ngjarja mori një kthesë tjetër.
Në pikën e kontrollit te Rrethi i Ismetit, njësitë e Stacionit Policor Veriu kanë ndaluar F. V. rreth 25 vjeç, i cili ka deklaruar se ishte objektiv i sulmit me armë zjarri dhe se në drejtim të tij kishte shtënë Sabit Mustafa.
Sipas dëshmisë së tij, plumbi kishte depërtuar në xhamin e pasmë të veturës, ndërsa gjatë ekzaminimit të automjetit policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një predhë.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, me autorizim të Prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Sinjali mëson se i dyshuari, Sabit Mustafa, nuk është arrestuar dhe aktualisht ndodhet në arrati, ndërsa Policia ka nisur kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Një plumb përshkoi xhamin e veturës dhe, për pak sekonda, mund të kishte marrë një jetë. Tash, përgjigjen për atë natë e ka në dorë drejtësia – sapo ta gjejë personin që dyshohet se tërhoqi këmbëzën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!