Një polic i Policisë Kufitare është sulmuar në pikën kufitare në veri të Kosovës.
Sulmi është kryer nga një grup njerëzish derisa polici po e përcillte në stacion policor personin që tentoi ta kalonte ilegalisht kufirin.
Lajmin e ka konfirmuar Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës.
“Policia ka kapur një person që ka tentuar të kalojë kufirin ilegalisht. Duke e shoqëruar për në stacion policor, një grup e ka sulmuar policin. Është dëmtuar edhe vetura, por ajo ka qenë civile, ka qenë e personit që po shoqërohej. Personi ka arritur të arratiset”, ka thënë Hoti.
Ai më tutje ka thënë se tre persona që e kanë sulmuar policin janë identifikuar dhe policia po punon për arrestimin e tyre.