image Sulmi ndaj Insajderit, aktakuzë kundër Ardian Alajt, urdhërarrest kundër Florim Alajt

Drejtësi

Sulmi ndaj Insajderit, aktakuzë kundër Ardian Alajt, urdhërarrest kundër Florim Alajt

news image

Sulmi kundër mediumit Insajderi tashmë ka marrë rrugë ligjore. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër Ardian Alajt dhe e ka shpallur në kërkim shefin e tij, Florim Alajn. Ata akuzohen për tri vepra penale.

Aktakuza e ngritur më 13 gusht e ngarkon Alajn në bashkëkryerje me Florim Alajn, për veprën penale të hyrjes në sistemet kompjuterike, vetëgjyqësi dhe keqpërdorimit të besimit.

Dënimi për këto vepra shkon deri në 10 vjet burgim.

Ardian Alaj, akuzohet nga Prokuroria për marrjen nën kontroll në mënyrë të paligjshme të Gazetës Insajderi, pronë e Vehbi Kajtazit dhe Parim Ollurit. Këtë dyshohet se e kanë bërë duke synuar zhvatjen e 350 mijë eurove.

Ata kanë pasur kodet e mirëmbajtjes së Insajderit, të cilat i kanë shfrytëzuar për ta marrë nën kontroll domenin. Kanë kërkuar që t’iu bëhen pagesa që arrinin vlerën deri në 350 mijë euro në këmbim të kthimit të kodeve të domenit “Insajderi. com”.

Pas një hetimi tre mujor, Prokuroria ka siguruar prova se Ardian dhe Florim Alaj e kanë kryer këtë sulm.

Ardian Alaj është nën masën e arrestit shtëpiak, derisa Florim Alaj është në kërkim pasi ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë.

Ardian Alaj akuzohet se në bashkëpunim me Florim Alajn, duke nisur nga data 20 prill i kishte privuar kundërligjshëm pronarët e Insajderit nga e drejta për ta shfrytëzuar domenin e websajtit.

Përveç kësaj, i akuzuari ngarkohet edhe me heqjen e paligjshme të pronarëve dhe punëtorëve të Insajderit nga e drejta për ta shfrytëzuar llogarinë e gazetës në Facebook. Për këtë arsye, Prokuroria e ka ngarkuar Alajn me veprën penale të ‘vetëgjyqësisë’.

Sipas organit të akuzës, Ardian Alaj në bashkëpunim me të dyshuarin Florim Alaj kanë hyrë pa autorizim në sistemin kompjuterik të Insajderit nga data 20 prill deri më 7 gusht të vitit 2020.

“Duke filluar nga data 20.04.2020 në vazhdimësi deri me datën 07.08.2020, në Prishtinë, me qëllim që të dëmtuarve t’u shkaktojë dëm, i pandehuri Ardian Alaj, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Florim Alaj…, pa autorizim kanë hyrë në sistemin kompjuterik, në atë mënyrë që nga domeni www. insajderi.com, përmes së cilës të dëmtuarit Vehbi Kajtazi, Parim Olluri dhe punëmarrësit tjerë të kompanisë së tyre ‘Insajderi LCC’, kanë publikuar lajmet, i kanë larguar të dëmtuarit dhe punëmarrësit tjerë nga roli i administratorëve të portalit, kanë bllokuar e-mailat zyrtarë të dëmtuarve dhe të gjithë stafit, u kanë bllokuar qasjen në sistemin WordPress, përmes së cilës të dëmtuarit i kanë postuar lajmet në portalin www. insajderi.com”, thuhet në aktakuzë.

“Të pandehurit pa autorizim kanë larguar të dëmtuarit dhe stafin tjetër të autorizuar për përdorimin dhe administrimin e llogarisë ‘GO Insajderi’, në rrjetin social Facebook, e verifikuar në emër të kompanisë ‘INSIDER LLC’, me pronar Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri , duke u pamundësuar kështu përdorimin e llogarisë dhe publikimin e lajmeve përmes të njëjtës llogari”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Me këto veprime, i pandehuri Ardian Alaj në bashkëkryerje me të pandehurin Florim Alaj dyshohet se kanë kryer në vazhdimësi veprën penale hyrja në sistemet kompjuterike sanksionuar nga neni 327 paragrafi 1 lidhur ne nenin 71 dhe nenin 31 të Kodit të Penal të Kosovës.

Përveç kësaj, ata akuzohen se kanë kryer edhe dy vepra tjera të rënda penale. Prokuroria i përshkruan veprimet e tyre që bien ndesh me ligjin, duke shkaktuar kryerjen e veprës penale të vetëgjyqësisë.

“Duke filluar nga data 20.04. 2020, në vazhdimësi , i pandehuri Ardian Alaj në bashkëkryerje me të pandehurin Florim Alaj, kanë ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që mendojnë se u takon në atë mënyrë që i pandehuri Florim Ala, nga Zvicra, pasi ishte duke e mirëmbajtur rrjetin e portalit në aspektin teknologjik , e për të cilën gjë e kishte autorizuar të pandehurin Ardian Alaj si mirëmbajtës i rrjetit në Prishtinë për këtë portal, fillimisht i kanë paralajmëruar të dëmtuarit se do t’i largojnë e më pas këtë veprim e kanë përmbushur me datën e lartcekur ku i kanë larguar në mënyrë të kundërligjshme të dëmtuarit Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri dhe punëmarrësit e tjerë nga domeni www .insajderi.com”, thuhet në aktakuzë.

Si pasojë, të pandehurit Florim e Ardian Alaj u kanë shkaktuar të dëmtuarve Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri dëm të konsiderueshëm material.

“Me këtë i pandehuri Ardian Alaj në bashkëkryerje me të pandehurin Florim Alaj kanë kryer veprën penale Vetëgjyqësia”.

Prokuroria ka siguruar prova kundër të pandehurve edhe për veprën penale të keqpërdorimit të besimit.

Në aktakuzë përshkruhet se i pandehuri, Florim Alaj, kishte rezervuar domenin Insajdericom, me kërkesë të Vehbi Kajtazit, mirëpo, ai nuk ia kishte transferuar kodet por e kishte regjistruar domenin në emrin e tij.

“I pandehuri (Ardian Alaj v.j.) në bashkëkryerje (me Florim Alajn v.j.) në vazhdimësi i ka keqpërdorur autorizimet e tij, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, derisa kanë qenë duke u kujdesur në aspektin teknologjik të portalit www.insajderi.com, pronë e të dëmtuarve Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri, e kanë marrë në posedim dhe menaxhim, duke i përjashtuar nga ky portal, ku ata i kanë të punësuar mbi 40 punëtorë dhe si pasojë u kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material”, thuhet më tej në aktakuzë.

“Me këtë i pandehuri Ardian Alaj në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi me të pandehurin Florim Alaj, kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i besimit’ nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin lidhur me nenin 77 dhe nenin 31 të KPRK-së të Kodit Penal I Republikës së Kosovës”.

Kësaj aktakuze i kishte paraprirë nisja e hetimeve kundër Ardian dhe Florim Alajt më 29 maj dhe arrestimi i Ardian Alajt nga Policia e Kosovës më 17 qershor.

Më 22 qershor, pesë ditë pas arrestimit, Ardian Alajt i është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Kjo masë ndaj tij vazhdon të jetë ende në fuqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka arrestuar Ardian Alajn, të dyshuar për rastin e “Insajderit”. Alaj, është arrestuar si i dyshuar për tri vepra penale: ndërhyrje në sisteme kompjuterike, keqpërdorim të besimit dhe vetëgjyqësi.

Hetimi dhe aktakuza ka të bëjë me marrjen nën kontroll në mënyrë të paligjshme të Gazetës Online Insajderi, pronë e “Insider LLC”, kompani në pronësi të Parim Ollurit dhe Vehbi Kajtazit.

Përveç kësaj, të dyshuarit kanë arritur që përkohësisht ta marrin nën kontroll edhe faqen e Facebookut të Insajderit, duke prezantuar dokumente të rrejshme.

Ata, kanë ndryshuar emrin e një firme “Shqip SHPK” të regjistruar në 2009, në “Insajderi SHPK”, për ta vënë në lajthitje :”Facebookun” dhe organet e hetuesisë.

“SHQIP SHPK”, është regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve me 2 qershor 2009, derisa emri në “Insajderi SHPK”, i është ndërruar 8 maj 2020. Me këto dokumente kanë vënë në lajthim Policinë dhe “Facebookun”, për ta marrë faqen e “Insajderit”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali