Gjatë ditëve të fundit, Policia e Kosovës në pikën kufitare me Serbinë, është bërë cak i disa sulmeve me breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë e së fundmi edhe mjete piroteknike. Kjo u konfirmua edhe nga autoritetet kosovare gjatë ditës së premte, ku ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, përmes një konference për medie dhanë detaje lidhur me sulmet e kryera ndaj pjesëtarëve të PK-së, duke i cilësuar ato si akte terroriste.
Sveçla të premten tha se Policia e Kosovës u sulmua rreth orës 07:40 me granatë dore dhe kallashnikov. Sipas tij, sulmet e fundit janë kryer nga grupe të caktuara “të mbështetura nga Serbia” dhe si qëllim kanë destabilizimin e vendit.
Ndërsa Mehmeti tha se prej datës 13 prill deri të premten kanë ndodhur katër sulme të sinkronizuara ndaj Policisë së Kosovës, në territore që janë afër me njëra tjetrën.
Sipas autoriteteve, sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e djeshëm, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe të rrezikojnë drejtpërdrejtë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës.
Sulmi i tretë ka ndodhur të enjten mbrëma, ku në afërsi të puntit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale ka pasur gjuajtje me armë zjarri, sulmi i katërt ndodhi mëngjesin e së premtes, ku dy veturat që po transportonin zyrtarë policorë janë gjuajtur me armë zjarri.
Po ashtu, Policia e Kosovës bëri të ditur se sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës kanë ndodhur dy shpërthime që dyshohet nga mjete piroteknike, të cilat dyshohet se janë hedhur nga territori i Serbisë.
Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së Policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Lidhur me këto zhvillime ka pasur reagime të shumta nga Qeveria e Kosovës, liderë opozitarë, si dhe ekspertë të sigurisë në Kosovë të cilët kanë vlerësuar se këto sulme duhet të trajtohen me seriozitet si tentativë për destabilizim të të gjithë rajonit të Ballkanit.
Gjithashtu, misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra e BE-së i kanë dënuar sulmet, duke bërë thirrje që të mos bëhen veprime që mund të eskalojnë tensionet në atë zonë.
Sipas Presidencës së Kosovës, Serbia i ka kryer këto sulme, duke synuar ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë.
E para e vendit, Vjosa Osmani, të premten ka mbledhur strukturat e sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Ndërsa kryeministri, Albin Kurti, duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, si “të ardhur nga Serbia”, i ka bërë thirrje Serbisë që “të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj Policisë.
Lidhur me zhvillimet e fundit në veri kanë reaguar edhe krerët e partive opozitare.
Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, Memli Krasniqi nga PDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK-ja po ashtu kanë dënuar këto sulme.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilat ndodhën “derisa autoritetet sovrane, përgjegjëse për të mbajtur paqe”.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensione.
Misioni i NATO-s në Kosovë, po ashtu, duke dënuar sulmin, ka konfirmuar gatishmërinë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar pamje të provave që janë gjetur në vendin e ngjarjes nga sulmet e kryera në drejtim të Policisë së Kosovës.
Në pamje shihet një numër i madh i iriqëve metalik që janë grumbulluar nga Policia, si dhe gurë, gëzhoja plumbash dhe dëmet që u janë shkaktuar veturave të Policisë.
Kujtojmë se Policia e Kosovës në muajin shkurt kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë.
Ndërkaq, tetorin e vitit të kaluar, zyrtarët policorë kishin zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.