Studentët që banojnë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë ende janë të detyruar që ushqimin ta marrin në dhomë dhe të mos e konsumojnë në ambientet e mensës. Kjo për shkak të masave anti-COVID të aplikuara shumë kohë më parë, por që synohet të ndryshohet prej javës së ardhshme.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka deklaruar se kanë adresuar kërkesë zyrtare, që prej datës 1 mars studentët të mund të ushqehen në ambientet e mensës pasi ka hapësirë të mjaftueshme që kjo të realizohet duke respektuar distancën, shkruan KP.
Sipas tij, forma “merr me vete” është edhe një kosto shtesë për ta për shkak të paketimit të ushqimit.
“Ka dy javë që kemi bërë një kërkesë të Ministria e Arsimit dhe Ministria Arsimit përmes instrumenteve dhe zyrtareve të vet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Sigurisht që e kemi bërë atë kërkesë dhe e kemi arsyetuar që ne kemi kapacitete, kemi mundësitë, përpos asaj ne kemi edhe ekstra shpenzime për këtë formë të servimit të ushqimit sepse na duhen paketime speciale që të vendosim ushqim studenteve. Mendoj që shumë shpejt do ta kemi një përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe shpresoj shumë që do ta marrim një vendim të arsyeshëm komfort situatës që është shumë më e mirë tash me pandemi. Dhe nga 1 Marsi shpresojmë që të fillojmë që studentet të ushqehen në mensën e studentëve”, ka deklaruar Sfishta.
Sa i përket numrit të studentëve që ushqehen në mensë, Sfishta ka thënë se janë aq sa ka studentë banorë në Qendrën e Studentëve.
“Aq studentë sa janë banorë, aq edhe paguajnë për t’u ushqyer në mense, varet pastaj prej ditëve ose muajve, se si studentet janë të koncentruar në konviktet e Qendrës së Studenteve dhe nëpër studimet e tyre. Mirëpo numri varion nga 2000 deri maksimumi 4000 studentë, vikendeve kuptohet numri është më i vogël sepse studentet lëvizin nëpër shtëpitë e tyre”, ka thënë Sfishta.
Sipas tij, situata me COVID-19 në Qendrën e Studentëve është e mirë.
“Fatmirësisht është shumë e mirë, kjo si rezultat i detyrimit të studenteve që të jenë të vaksinuar, që të vendosen në Qendrën e Studenteve me fillim të vitit akademik kur është përmbyll konkursi, studentet kanë qenë të obliguar që të jenë të vaksinuar me dy vaksina në mënyrë që të vendosen nëpër dhomat e tyre. Dhe deri më tash kemi pasur një numër jashtëzakonisht të vogël të raportuar nga ana e studenteve të infektuar me COVID”, ka shtuar Sfishta.
Studentët që kanë simptoma të COVID-19, sipas protokollit, lajmërohen te zyrtarët e konviktit dhe zgjedh nëse dëshiron të shkojë të institucionet shëndetësore apo në shtëpi ndërsa procedura për pastrimin e plotë të dhomës zgjat 24 orë.
Aktualisht, të gjitha kapacitetet në Qendrën e Studentëve janë të mbushura pasi të 4000 shtretërit janë të zënë.