image Helmimi nga ushqimi - Oborri i spitalit të Mitrovicës mbushet plot nxënës e prindër të shqetësuar (VIDEO)

Siguri

Helmimi nga ushqimi – Oborri i spitalit të Mitrovicës mbushet plot nxënës e prindër të shqetësuar (VIDEO)

news image

Për nxënësit e shkollës fillore “Nexhmi Mustafa” në Prishtinë, ekskursioni i nisur për qejf përfundoi me helmim. Mbi dhjetë nxënës të kësaj shkolle janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës së Jugut, pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që e konsumuan në një restorant.

Një sinjalizues i Gazetës Sinjali ka dërguar pamje nga spitali i Mitrovicës, ku shihet numër i madh i nxënësve duke qëndruar në oborrin e objektit.

Po ashtu, sinjalizuesi ka njoftuar se pranë Spitalit të Mitrovicës janë parë edhe njësitet e Policisë së Kosovës.

Ai për Sinjalin tha se në spital kanë arritur edhe prindërit e disa fëmijëve të cilët janë brengosur për gjendjen shëndetësore të tyre.

Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, për Sinjalin është deklaruar edhe drejtoresha e spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi. Ajo tha se nxënësit e helmuar janë në gjendje të mirë shëndetësore, por disa prej tyre janë duke marrë terapi për shkak të barkqitjes dhe vjelljes.

“Janë 10-15 nxënës nga rajoni i Prishtinës, gjendja e tyre është stabile, disa prej tyre kanë simptoma të vjelljes dhe barkqitjes. Situata është e menaxhueshme, janë duke u trajtuar me infuzione”, tha ajo për Sinjalin.

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës i ka marrë mostrat për analiza, rezultatet e të cilave pritet të dalin brenda disa ditësh.

/GazetaSinjali/