Studentët e Fakultetit të Edukimit, Arteve dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit kanë protestuar sot para MASHT-it në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen e tyre në bursa.
MASHT ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshim të konkursit për bursa, gjë e cila ka shtyrë studentët të paralajmërojnë bojkot të procesit mësimor.
Përfaqësuesit e studentëve të Fakultetit të Edukimit, Arteve dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit kanë mbajtur një takim me ministrin në detyrë të Arsimit, Shyqri Bytyqi, i cili, sipas tyre, ua ka bërë me dije se nuk do të ndryshojë konkursin e bursave.
Pas daljes nga takimi me ministrin e Arsimit, përfaqësuesi i Fakultetit të Edukimit, Edvin Hoxha, tha se MASHT ka vendosur të vazhdojë me shkeljen e ligjit për konkursin e bursave dhe nuk pranon të ketë ndryshime.
Ai tha se studentët do të vazhdojnë me protesta e bojkotim të procesit mësimor me kërkesën për anulimin e konkursit për bursa.
“Përderisa Fakulteti Ekonomik cilësohet si prioritet nacional dhe ministri sapo tha se nuk kam shkel asnjë ligj dhe qëndron në vendim ligji që e ka shkelur ai dhe jep justifikime të paarsyeshme, ne sapo e lamë takimin në gjysmë dhe e bojkotuam këtë takim përderisa nuk ka përgjigje konkrete, me përgjigjen se “a ta anuloj t’i marrë në qafë studentët tjerë”, ne nuk shkojmë përpara. Ne kërkojmë anulimin e këtij konkursi që të mos ketë bursa derisa të vij një ministër, i cili vlerëson si duhet, jo ministra të cilët vetëm i largojnë prej fakultetit dhe përdorin si justifikim se kanë përshirë edhe fakultete të tjera”, tha Hoxha.
Ndryshe, studentët e Fakultetit të Edukimit, Arteve dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit kanë paralajmëruar se nga nesër do të bojkotojnë procesin mësimor dhe do të futen në grevë. / ./Gazeta Sinjali/