Dy studentë të Universitetit të Harvardit kanë krijuar një faqe interneti që lidh mijëra refugjatë ukrainas me mikpritësit në mbarë botën, duke u ofruar atyre një strehë të sigurt nga luftimet.
Më shumë se tre milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt dhe adoleshenti Avi Schiffmann ndjeu se kishte nevojë për të ndihmuar.
Pasi u ndesh ballë për ballë me qindra ukrainas amerikanë në një demonstrim pro-ukrainas në San Diego, studenti kontaktoi shokun e tij të klasës Marco Burstein dhe i tha atij për idenë e tij, shkruan CNN.
Dyshja më pas kaloi pothuajse çdo moment duke projektuar, redaktuar dhe përsosur një faqe interneti të dedikuar për të ndihmuar refugjatët.
“Ata kanë nevojë për ndihmë, menjëherë dhe në një shkallë vërtet të madhe, dhe unë duhej të gjeja një mënyrë për ta bërë këtë sa më shpejt të jetë e mundur“, tha Schiffmann, 19 vjeç.
Ukraine Take Shelter filloi në 3 mars dhe brenda një jave, më shumë se 4 mijë njerëz kishin krijuar lista që ofronin strehim për refugjatët ukrainas.
Dizajni i faqes në internet është i thjeshtë. Refugjatët hyjnë në qytetin më të afërt ku shpresojnë të ikin dhe kalojnë nëpër listat e disponueshme.
Së fundi, refugjati mund të klikojë në butonin e telefonit ose të emailit për të marrë informacionin personal të kontaktit të mbajtësit të listës.
“Të shohësh kaq shumë njerëz nga vende në çdo cep të botës duke bërë diçka për të ndihmuar këta refugjatë, të cilët kanë nevojë dhe meritojnë siguri, është vërtet frymëzuese“, tha Schiffmann.