Studenët e Fakultetit Teknik nuk janë të kënaqur me konkursin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për bursa, andaj ata kanë paralajmëruar protestë më 3 qershor, shkruan Gazeta Sinjali.
Këta studentë po e cilësojnë si padrejtësi kriterin për notë mesatare i cili këtë vit është 9.0, për dallim nga vitit i kaluar kur nota mesatare është kërkuar të jetë minimalisht 8.0.
“Sot, nga ana e ministres në detyrë Bajrami u bë publik konkursi i rishpallur për bursa nga ana e Ministrise. Per fat te keq, ne mendojme se eshte bere padrejtesi ndaj studenteve të Fakulteteve Teknike, duke mos u marr parasysh si një ndër fakultet më të vështira e njëkohësisht duke bërë ndryshim të pikës 1.5. të konkursit për bursa i shpallur në tetor të vitit të kaluar, i cili thotë: “ Të gjitha fushat e cekura në pikën 1.4 të këtij konkursi të kenë notën mesatare të studimeve së paku 9.0, në përjashtim të fushës së Teknikut që duhet të jetë së paku 8.0”, thuhet në reagimin e studentëve.
Konkursi i fundi, sipas këtyre studentëve, është anuluar padrejtësisht, anipse vlerësojnë se çdo gjë ka qenë në rregull me të.
“Bursat e MASHT-it iu ipen studenteve te drejtimeve deficitare, pra duke përfshirë Fakultetin Teknik, FSHMN dhe Shkencat e aplikuara. Të anashkalohen këto drejtime dhe të bëhen bashkë me drejtimet, studentët e të cilave e kanë shumë më të lehtë (pa dashur të bëjmë dallime dhe të nënvlerësojmë fakultetet e tjera), të arrijë notën mesatare 9.0 dhe në krahasim me studentët të cilët e arrijnë këtë mesatare në Fakultetin Teknik janë shumëfish në numër më të madh”, thuhet tutje në reagim.
Andaj, studentët e Fakultetit Teknik kërkojnë takim me Kabinetin e ministres Bajrami të hënën dhe nëse këta të fundit nuk i përgjigjen kërkesës për takim, studentët paralajmërojnë protesta para MASHTI-t të mërkurës me datë 3 qershor 2020./Gazeta Sinjali/