Elvis Mekaj, 26-vjeçar, ndërroi jetë dje në Spitalin e Pejës, pasi që nuk arriti t’u bënte ballë plagëve që mori nga therja me thikë në lagjen “Fidanishte”, rreth orës 14:45, raporton Gazeta Sinjali.
Një familjar i Elvisit në kushte anonimiteti e ka treguar për Gazetën Sinjali ngjarjen e cila tronditi qytetin e Pejës.
Sipas tij, 26-vjeçari ka qenë i shoqëruar nga dy vëllezërit e tij, kur është sulmuar me thikë nga i dyshuari Kushtrim Selimaj, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje”.
Ky familjar thotë se për t’i dalë në mbrojtje Elvisit, njëri nga vëllezërit e të ndjerit, L. Mekaj, 33-vjeçar, e ka sulmuar me thikë të dyshuarin në kokë.
Ai tha se Elvisi edhe më parë ka pasur probleme me të dyshuarin, pasi që i njëjti, sipas tij, dyshohet se edhe më parë kishte therur me thikë njërin nga vëllezërit e 26-vjeçarit.
“Elvisi ka pasur probleme edhe më herët me të njëjtin, madje njëri nga vëllezërit e tij është therur para një kohë nga i njëjti person. Ai ka qenë në burg për një kohë.”
Ai shtoi se gjendja e familjarëve është “e tmerrshme”.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot me datë 21 janar në varrezat e qytetit, ndërkohë, funerali niset nga Gasallhanja e varrezave të qytetit në orën 15:00.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njëri prej të cilëve dyshohet për veprën penale “Vrasje”, ndërsa tjetri për veprën penale “Lëndim trupor”.