image Skandal: Prokurorja i liron, por pastaj kërkon që të dyshuarit të riarrestohen, kur kupton që rrahën djalin e koleges së saj

Drejtësi

Skandal: Prokurorja i liron, por pastaj kërkon që të dyshuarit të riarrestohen, kur kupton që rrahën djalin e koleges së saj

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi se janë arrestuar tre persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një djalë dhe një vajzë, për shkak të një mosmarrëveshjes që kishin pasur për një parking në rrugën “Egnantina” në Prishtinë.

Familjarë të të dyshuarve kanë bërë të ditur se ata fillimisht ishin liruar e më pas ishin ftuar sërish në stacionin policor – Jugu dhe pas intervistimit, janë ndaluar për 48 orë.

Sinjali merr vesh nga burimet brenda policisë, se prokurorja kishte parë të gjitha shkresat e lëndës, kur kishte urdhëruar që të dyshuarit të lirohen dhe rasti të shkojë në procedurë të rregullt, por e kishte ndryshuar urdhrin pas që kishte pranuar një telefonatë nga kolegja e saj, Merita Lumezi, e cila e kishte njoftuar se denoncuesi është i biri i saj E.Lumezi.

Burime të Gazetës Sinjali brenda këtij stacioni bëjnë të ditur se pasi kishte biseduar me prokuroren Lumezi, prokurorja e rastit, Arbëresha Shala, e kishte kontaktuar komandantin e stacionit policor dhe i kishte kërkuar që të dyshuarit të riftohen në stacion dhe të njëjtit të dërgohen në mbajtje.

Sinjali merr vesh se djali i prokurores kishte qenë së bashku me të dashurën e tij, me të cilën bashkëjeton, E.O., (emër i njohur për redaksinë), kur është sulmuar fizikisht nga të dyshuarit Sh.N., E.N., F.B. dhe A.D., (emra të njohur për redaksinë).

Familjarët e të dyshuarve dyshojnë se prokurorja Shala ka ndryshuar urdhrin, vetëm për shkak se nëna e ankuesit është kolege e saj.

Gazeta Sinjali ka provuar që të marrë një përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për këtë rast, por kryeprokurori dhe zëdhënësja e kësaj prokurorie, nuk u janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Në pyetjet dhe thirrjet e Sinjali nuk u përgjigj as prokurorja Merita Lumezi./Gazeta Sinjali/