image Sindikata e KEK-ut mirëpret anulimin e konkursit të dyshimtë

Sociale

Sindikata e KEK-ut mirëpret anulimin e konkursit të dyshimtë

news image

Sindikata e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka mirëpritur anulimin e konkursit të shumëpërfolur për dallavere e ndikim nga partia në pushtet. Por, në të njëjtën kohë, Sindikata shpreh shqetësimin për punëtorët aktualë, të cilët sipas saj, do të detyrohen të punojnë jashtë normave deri në plotësimin e pozitave.


Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nuk iu bashkuan edhe 127 të tjerë, siç ishte planifikuar në konkursin e fundit.

Kjo pasi konkursi u anulua pas pretendimeve për ndërhyrje politike kryesisht nga partia në pushtet.

Kandidatët që kishin aplikuar të jenë pjesë e KEK-ut do t’i rikthehen fazave të testimit për pozitat e parapara në konkurs.

Mbi pesë mijë kandidatë që kishin aplikuar në këtë konkurs, sipas vendimit të ri, do t’i rikthehen testit me shkrim dhe intervistave me gojë.

Ndërsa është kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, i cili thotë se KEK-u gjithmonë ua ka parë sherrin partive politike.


Gjithherë ka ndodhur kështu. Që nga paslufta janë punësuar njerëz të partive politike, njerëz që kanë pasur familjarë të tyre. Kështu po ndodhë edhe sot. Kështu që nuk kemi ndonjë shpresë të madhe që do të rregullohet gjendja ani pse është anuluar konkursi”, ka thënë në Dukagjin, Llumnica.

Ai vë në pah nevojën për numër më të madh të punëtorëve në Korporatë.

“Në KEK i kemi 5300 vende të punës por të punësuar janë 3 mijë e 600 punëtor kështu që kemi rreth 1 mijë e 700 mungesë. Edhe konkursi që është anuluar do të shtyjë edhe më shumë këtë proces dhe kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët aktual sepse ata punojnë më shumë se sa duhet për shkak të mungesës së punëtorëve”, ka thënë Llumnica.

Pas ankesave të shumta të aplikuesve, këtë rast e mori nën hetim Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Kallëzim penal lidhur me këto punësime kishte dorëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për punësimet e dyshimta në KEK, opozita vazhdimisht ka drejtuar gishtin kah Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tyre, të përfshirë në këtë proces janë edhe të anëtarët e komisionit pranues në KEK.

/GazetaSinjali/