image Policia me ushtrues detyre tash e 5 muaj, MPB ende nuk i intervistoi kandidatët

Politikë

Policia me ushtrues detyre tash e 5 muaj, MPB ende nuk i intervistoi kandidatët

news image

Janë bërë pesë muaj që Policia e Kosovës po udhëhiqet me ushtrues të detyrës së drejtorit, si shkak i dorëheqjes me 30 gusht të vitit 2022 të ish-drejtorit Samedin Mehmetit, raporton Gazeta Sinjali.

Menjëherë ishte zgjedhur ushtrues i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Fehmi Hoti, i cili sot ka bërë 5 muaj.

Edhe pse Ministria e Brendshme kishte shpallur konkurs me 7 shtator 2022 në të cilin kishin konkurruar 5 kandidatë, ende  nuk është bërë intervistimi i kandidatëve.

Konkursi ishte mbyllur me 21 shtator të vitit 2022, ku Gazeta Sinjali kishte raportuar për kandidatët të cilët synojnë  postin e të parit të Policisë e ata janë: Bahri Shala, Gazmend Hoxha, Fatos Haziri, Granit Fetahu dhe Sllagjana Stojanoviq.

Edhe pse janë bërë rreth katër muaj nga përfundimi i konkursit, akoma nuk ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së të parit të forcave të rendit.

Nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë treguar për Gazetën Sinjali, se konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës ishte mbyllur më 21 shtator të vitit 2022. Sipas tyre në këtë konkurs kanë aplikuar 5 kandidatë.

Derisa  edhe përkundër pyetjeve të njëpasnjëshme në MPB-ë lidhur me procesin e interviztimit e përzgjedhjen e drejtorit të ri nuk ka pasur ndonjë përgjigje.

Nga ana tjetër Gazeta Sinjali ka mësuar se ishte formuar Komisioni për intervistim të kandidatëve për drejtor të Policisë dhe kandidatët ishin ftuar për intervistë me 16 e 17 janar, por si shkak i disa problemeve, intervistimi i 4 nga 5 kandidatët është shtyrë për 6 e 7 shkurt. Derisa MPB  nuk kanë konfirmuar këto.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, tha për Gazetën Sinjali se është e pakuptimtë kjo zgjatje pesë muajshe  e zgjedhjes së drejtorit të Policisë.

“Janë bërë pesë muaj nga dorëheqja e drejtorit dhe udhëheqja e Policisë me ushtrues të detyrës dhe nga Ministria e Brendshme nuk ka ndonjë informacion se çfarë po ndodh”, tha Qalaj.

Deputeti i PDK-së theksoi se MPB-ja po e vazhdon procesin  pa dhënë detaje.  

“Janë 4 kandidatë nga 5 sa kanë aplikuar për postin e drejtorit  që po presin të intervistohen dhe shpresojmë se së shpejti të kemi drejtorin e ri”, tha Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë theksoi se kjo çështje është tej zgjatur dhe nuk dihen arsyet. Ndoshta emrat që kanë konkurruar nuk janë të pëlqyer nga Qeveria, apo ka ndonjë arsye tjetër.

“Kjo çështje është vonuar shumë dhe për mua është e pakuptimtë që tash pesë muaj policia të udhëhiqet me ushtrues detyre”, tha Qalaj, duke kërkuar që sa më parë të emërohet drejtori i ri i Policisë.

Nga ana tjetër ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, në Kuvendin e Kosovës para deputetëve kishte theksuar se, pozita e drejtorit është ndër funksionet më të rëndësishme të shtetit dhe faza e dorëzimit të aplikacioneve është mbyll dhe janë në proces të fazave tjera të procesit.

Më tej ministri i Brendshëm ka thënë se pas themelimit të komisioni me anëtarët që i plotësojnë  kriteret do të vijojmë me procedurat tjera deri në finalizim.

“Besoj se Komisionit me profesionalizëm bashkë me  monitorët vendës e ndërkombëtar do t’ia dalin mbarë këtij procesi të rëndësishëm”, tha ministrit Sveçla.

Por ministri nuk ka treguar ndonjë afat se kur do të emërohet drejtori i Policisë.

/GazetaSinjali/