image Sot mbyllet konkursi për policët në veri

Kosovë

Sot mbyllet konkursi për policët në veri

news image

Sot pritet të mbyllet konkursi për rekrutimin e policëve të rinj nga radhët e komuniteteve që do të angazhohen në katër komunat në veri të vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë për Radio Kosovën se është i kënaqur me aplikimet. Ndërsa, ekspertë të sigurisë thonë se konkursi mund të dështojë si pasojë e numrit të vogël të aplikimeve, që është rezultat i presionit të Serbisë.

Konkurs i hapur në fillim të janarit për rekrutimin e policëve të rinj nga radhët e komuniteteve, që do të angazhohen në katër komunat në veri të vendit, pas dorëheqjeve të ish policëve serbë, pritet të mbyllet sot. Duke mos treguar numrin e aplikantëve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë për Radio Kosovën se është i kënaqur me aplikimet.

“Mund të them lirisht se jam i kënaqur me përgjigjen që kemi marrë. Ky konkurs do të jetë në vazhdimësi i hapur derisa nuk plotësohen të gjitha vendet. Por, tani për tani jam shumë i kënaqur me përgjigjen që kemi marrë për sa i përket aplikimeve”, tha Sveçla.

Marrë parasysh zhvillimet në veri, numri i aplikuesve mund të jetë i vogël, vlerësojnë ekspertë të sigurisë. Njëri nga ta, Fadi Kajtazi, thotë se ky konkurs mund të dështojë, si pasojë e presionit të madh të institucioneve të Serbisë te pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

/GazetaSinjali/