Policia e Kosovës nga rajoni i Gjilanit, ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e pesë personave, në mesin e tyre 2 policë, që rrëmbyen dy shqiptarë nga Maqedonia, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali më herët raportoi ekskluzivisht për këtë rrëmbim, derisa 2 policët janë suspenduar.
Policia thotë se mëngjesin e sotëm ankuesi shtetas i Maqedonisë së Veriut nga Kumanova ka raportuar policinë e Kosovës në Gjilan se një person i panjohur i kishte dërguar video në telefon të dy viktimave, (njëri nga viktimat vëlla i ankuesit) po ashtu shtetas të Maqedonisë së Veriut, dhe i kishte thënë se ata po i mbanin në një objekt e ku shiheshin të lidhur. Aty po ashtu shihej edhe një femër.
“Pas pranimit të informatave të besueshme dhe kredibile dhe analizimit nga njësitet e hetimeve Rajonale dhe stacionit Policor në Gjilan, me autorizim të prokurorit të shtetit janë ndërmarr veprime konkrete duke lokalizuar ambientin përkatësisht objektin ku dyshohej se ishin viktimat dhe te dyshuarit”, njofton Policia.
Në fshatin Stanishor komuna Novobërda janë hasur dhe arrestuar pesë të dyshimtë. Njëra nga ta është femër M.I. 1990 Prishtinë, ndërsa 2 prej tyre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, V. K. (1978) dhe B.N.(1991). Tjetër person i arrestuar është edhe F.S. me banim në Drenasi (1991) dhe V.K. (.1989) .
Me këtë rast si prova materiale janë gjete dhe konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës:
• 3 armë (revole) nga të cilat 2 revole zyrtare.
• Dy palë pranga të plastikës
• Dy vetura pron e të dyshimtëve
• Dhe prova të tjera materiale. /Gazeta Sinjali/