Mosmarrëveshja për një banesë ndërmjet kompanisë për ndërtime të larta afaristo-banesore ‘Ex Com’ dhe një personi në Suharekë, është bërë shkak që ky i fundit ta kërcënojë dhe të tentojë ta godasë me çekan punëtoren e kësaj kompanie.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se sot rreth orës 18:10, i dyshuari (emri i njohur për redaksinë) ka shkuar në zyrën e viktimës në Suharekë duke e sharë dhe ofenduar.
Sipas burimeve, më pas, i njëjti ka nxjerrë një çekan nga brezi dhe ia ka goditur tavolinën e punës duke i shkaktuar dëme, por që nuk është mjaftuar me kaq.
Sinjali mëson se i dyshuari si pasojë e pakënaqësisë për punën e viktimës, ka kapur për bluze këtë të fundit, duke e shtyrë e më pas ka tentuar që ta godas edhe me çekan, por që viktima ka arritur të shpëtojë.
Policia e ka shoqëruar në stacionin policor në Suharekë të dyshuarin, i cili gjatë intervistimit ka pranuar se ka kryer veprën e cekur.
Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është ndaluar për 48 orë në mbajtje.