image Si i shpenzoi Dortmundi 320 mijë euro për një festë që nuk u bë kurrë

Sport/ Si i shpenzoi Dortmundi 320 mijë euro për një festë që nuk u bë kurrë

news image

Në shtëpinë e Borussia Dortmund nuk arrijnë ta harrojnë zhgënjimin për mënyrën sesi u mbyll sezoni i kaluar. Saktësisht një vit më parë (30 nëntor 2018) verdhezinjtë ishin në vendin e parë të Bundesliga-s pas 13 javësh kampionat me një avantazh prej 9 pikësh ndaj Bayern-it.

Ishin të shumtë ata që pyesnin veten nëse shkurtimi i emrit të klubi (BVB) do të thoshte “Borussia Vor Bayern” (domethënë “Borussia para Bayern-it”). Në atë moment ishte e pamundur të mos ëndërrohej një titull që mungon që nga 2012-ta. Kështu që është e kuptueshme që klubi, edhe në muajt pasardhës, të shqetësohej për organizimin e festës së titullit.

Ka një problem të vogël: në 2019-ën, Dortmund e mbylli kampionatin dy pikë larg Bayern-it, që fitoi titullin e shtatë radhazi. Një katastrofë kjo që i ka kushtuar shtrenjtë klubit, që duhet të paguajë 320 mijë euro për një festë që nuk u zhvillua kurrë.

Kampionati i sezonit të kaluar është vendosur në javën e fundit, duke e bërë të pamundur për Dortmund që ta anulonte festën që kishte programuar. Vetëm për shërbimin e sigurisë, Borussia ka qenë e detyruar të paguajë 265 mijë euro.

Duke shtuar kostot e shërbimit mjekësor dhe sanitar arrihet në 320 mijë euro. Surpriza e përgatitur nga Bayern, që në pjesën e dytë të sezonit ka qenë i papërmbajtshëm, ka prishur gjithçka. Duke transformuar euforinë në zhgënjim dhe duke detyruar rivalët e përjetshëm të anulojnë festën.