Pasi një person nga fshati Dumnicë i komunës së Podujevës, ka dalë pozitiv me koronavirus, sot për t’u testuar në Infektivë ka shkuar edhe prindi i tij, raporton Gazeta Sinjali.
Për gjendjen e tij aktuale në Dumincë, ka folur kryetari i këtij fshati, Ruzhdi Fazliu.
“Gjendja e personave të tjerë është e mirë momentalisht. Lëvizje nuk ka hiç, pak më parë isha aty ku është vendosur policia”, tha Fazliu në emisionin ‘Frontal’, transmeton Gazeta Sinjali.
Më tej, theksoi se personi që ka rezultuar pozitiv me koronavirus kishte shkuar para 3-4 muajve për të punuar në Itali.
“Ka shku në Itali para 3-4 muajve edhe ka ardhë në shtëpi para 11 ditësh, ka pas temperaturë edhe ka shku në ambulancën qendrore në Podujevë, edhe e kanë dërgu për në Prishtinë”, tha më tej Fazliu.
Ndryshe, ai konfirmoi raportimet e Gazetës Sinjali se për testim në Infektivë ka shkuar edhe prindi i tij.
“Para 10 minutave e kanë marrë edhe prindin e tij dhe janë shku në Infektivë”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/