Ajo dredhzë që jeni duke ngrënë derisa jeni të vetizoluar nga koronavirusi? Shanset janë të ketë ardhur nga një fermë. Ose, mund të ketë ardhur nga një operacion i madh bujqësor shumë, shumë kilometra larg shtëpisë suaj. Mund të jetë vjelur me dorë, ndoshta nga punëtorë migrantë, dhe të jetë sjellë nga qytete tjera, e ndoshta edhe shtetet.
Por, a do të mund të vazhdojnë sistemet t’ju sjellin luleshtrydhe derisa pandemia globale e coronavirusit vazhdon? Ose bukën? Pastat apo vajin e gatimit?
Coronavirusi tashmë e ka nxjerrë ekonominë globale jashtë kontrollit. Dhjetëra-miliona njerëz kanë dalë nga puna, pasi fabrikat nga Vuhani deri në Bavari i kanë pezulluar operacionet.
Çfarë do të thotë kjo për ushqimin që hamë?
Nëse jetoni në një mjedis rural, në një klimë të butë, ku sezoni i të korrave po zhvillohet, ju mund të përgatitni për ngrënie të prodhimeve nga kopshti juaj.
Por, nëse jetoni në qytet – sikurse më shumë se gjysma e popullsisë së botës – shanset janë që të mbështeteni në zinxhirin global të furnizimeve.
Çfarë ndodh kur njerëzit që vjelin frutat dhe perimet sëmurën ose duhet të futen në karantinë? Çfarë ndodh kur paketuesit, që sigurohen se patatet dhe qepët janë të grumbulluara dhe futen në kamionë për t’u çuar në qytete, nuk mund të punojnë? Çfarë ndodh kur gruri nuk mund të përpunohet dhe të dërgohet në furra buke?
A mund të përballemi me mungesa globale të ushqimit në muajt e ardhshëm?
“Ndërprerje masive në sistemin global të furnizimit me ushqim do të vijnë nga pandemia”, shkroi në një postim në Twitter Chris Elliot, profesor në Universitetin Queen në Belfast.
ë tregojnë shenja të “rafshimit të kurbës” – një term i përdorur për të treguar ngadalësimin e ritmit të infeksioneve të reja.
Por, ngarkesa mbi sistemin global të furnizimit me ushqime ishte e qartë.
“Një krizë e zgjatur e pandemisë mund t’i shtrëngojë shpejt zinxhirët e furnizimit me ushqime – një rrjet që përfshin fermerë, prodhime bujqësore, impiantët e përpunimit, transportin, shitjen me shumicë dhe pakicë”, paralajmëroi në një shkrim Maximo Cullen, ekonomisti kryesor në Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara.
Blerjet nga paniku në disa vende i kanë rritur shqetësimet se inventarët e shitësve dhe të tregtarëve mund të jenë duke u zbrazur.
Në fillim të prillit, Programi Botëror i Ushqimit – një tjetër agjenci e Kombeve të Bashkuara – u përpoq t’iu ofronte siguri konsumatorëve të nervozuar.
“Tregjet globale për drithëra bazë janë të furnizuara mirë dhe çmimet përgjithësisht janë të ulëta”, tha Programi Botëror i Ushqimit në një raport të lëshuar më 3 prill.
“Ndërprerjet deri më tani janë minimale; furnizimi me ushqim është i mjaftueshëm dhe tregjet janë relativisht të qëndrueshme”, u citua zëdhënësja Elizabeth Byrs.
“Por, së shpejti, mund të shohim ndërprerje në zinxhirët e furnizimit me ushqim”, nëse importuesit e mëdhenj humbasin besimin në rrjedhën e besueshme të mallrave bazë të ushqimit”, tha ajo.
Për vendet e industrializuara, ku zinxhirët e furnizimit me ushqime kanë kaluar tashmë nëpër një ndryshim, për shkak të ndryshimit të shprehive dhe shijeve të konsumatorit, kjo sjell më shumë pasiguri.
“Po flasim për ndryshime rrënjësore të një zinxhiri ushqimor që tashmë po kalonte nëpër një ndryshim radikal”, tha për Radion Evropa e Lirë James Tillotson, profesor në pension i politikës ushqimore dhe i biznesit ndërkombëtar në Shkollën Friedman në Universitetin Tufts në Shtetet e Bashkuara.
Kush është më në rrezik?
Për vendet kryesore industriale, popullsia e të cilave ka tendencë të përqendrohet veçanërisht në qendrat urbane dhe periferike, zinxhirët e furnizimit të ushqimit janë më të gjata, më komplekse dhe, ndoshta, më të rrezikuara.
Për shembull, nëse nuk i siguroni vezët dhe qumështin nga pulat dhe lopët e dhitë e juaja, atëherë mund t’i merrni nga fermerët në fshatin fqinj.
Mallrat e tjera, si gruri, misri ose soja, shiten dhe dërgohen me shumicë, shpesh nga distanca më të gjata. Kjo do të thotë se ka më shumë pika ku zinxhiri i furnizimit mund të këputet.
Shtoji kësaj edhe faktorin e frikës: konsumatorët që kanë frikë nga mundësia e mungesës, nxitojnë të blejnë më shumë se zakonsisht, duke shkaktuar kështu mungesa.
Kjo ka bërë që disa vende t’i zvogëlojnë eksportet e ushqimit, në përpjekje për t’i siguruar qytetarët e tyre se kanë mjaft ushqime.
Vietnami, një eksportues i madh i orizit, ka pezulluar eksportet e këtij produkti dhe të mallrave të tjera. India, prodhuese e madhe e orizit, njësoj si Vietnami, i ka pezulluar po ashtu eksportet.
Në Kazakistan, njërin nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë, qeveria i ka kufizuar eksportet e këtij produkti. Më herët, qeveria ka pezulluar edhe eksportet e mallrave të tjera, si: qepa, sheqeri dhe vaji i lulediellit.
Muajin e kaluar, Rusia, prodhuesja më e madhe e grurit në botë, ka pezulluar eksportin e orizit dhe tërshërës.
Furnizimet e kufizuara i kanë rritur çmimet, jo vetëm në nivel lokal, por edhe globalisht në disa raste.
Në zonën e Bostonit, për shembull, çmimi i vezëve është trefishuar në javët e fundit, tha Tillotson.
Rritja e çmimeve dhe kufizimet në furnizime kanë krijuar mundësi për tregun e zi. Policia në Kirgizi, këtë javë, ka konfiskuar dërgesa të miellit të grurit, që do të kontrabandoheshin jashtë vendit në thasë të etiketuar si “çimento”.
Në një thirrje të pazakontë publike, aktivistë, akademikë dhe një grup i udhëheqësve të disa kompanive më të mëdha të përpunimit të ushqimit në botë, paralajmëruan më 9 prill se numri i njerëzve që do të ballafaqohen me urinë mund të rritet ndjeshëm në muajt e ardhshëm.
“Mund të mos ketë kohë më të rëndësishme sesa tani për mbajtjen hapur të flukseve tregtare”, thuhet në letrën dërguar udhëheqësve botërorë.
Letra po ashtu u bën thirrje eksportuesve të ushqimit që të vazhdojnë t’i furnizojnë tregjet ndërkombëtare dhe t’i mbështesin popullsitë më të rrezikuara nga uria, si dhe të investojnë në prodhimin vendor.
Kush vjel?
Procesi i vjeljes së të lashtave dhe paketimi i tyre për dërgim është po ashtu i kërcënuar, thonë ekspertët, pasi punëtorët luftojnë për të siguruar pajisje mbrojtëse nga coronavirusi, ose disa prej tyre nuk lejohen të udhëtojnë në ferma, për shkak të izolimit ose kufizimeve në udhëtim.
“Çështja e shëndetit të punëtorëve dhe disponueshmëria e tyre janë një nga sfidat më të mëdha për prodhimin”, paralajmëroi grupi i analizimit të rrezikut Fitch Solutions në një raport më 25 mars.
Në Shtetet e Bashkuara, punëtorët migrantë përbëjnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore në ferma dhe bujqësi. Dhe në Kaliforni, një nga shtetet kryesore të SHBA-së për prodhimin e ushqimit dhe të të mirave bujqësore, zyrtarët shtetërorë kanë lëshuar urdhrin e qëndrimit në shtëpi, për të minimizuar lëvizjet e njerëzve dhe transmetimin e koronavirusit. Kjo ka ndikuar në punën e fermave.
Megjithatë, herët a vonë, infektimet me coronavirus do të bien, qeveritë do t’i lehtësojnë kufizimet në udhëtime dhe tregti dhe zinxhirët e furnizimit do t’i kthehen normalitetit, thonë ekspertët.
Dhe në atë kohë, njerëzit mund të përballen me një problem tjetër: çfarë të bëjnë me të gjitha mallrat shtesë në dollapët dhe frigoriferët e tyre?
“Nëse njerëzit blejnë më shumë mallra tani, nuk është se përdorin më shumë, ata grumbullojnë rezerva. Kur gjërat t’i kthehen normalitetit, konsumatorët do të kenë shumë supa të konservuara dhe letër higjienike në shtëpitë e tyre dhe nuk do të kenë nevojë të blejnë më shumë”, tha Goker Aydin, ekspert i menaxhimit të operacioneve në Shkollën e Biznesit Carey në Universitetin Johns Hopkins.