Ka dështuar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarës me iniciale A.D., e dyshuar për veprën penale “grabitje”, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo seancë dështoi për shkak të mungesës së saj në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Gjykata nuk kishte prova se e akuzuara ka qenë e ftuar me thirrje të rregullt për këtë seancë.
Kështu, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari, vendosi që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet për datën 3 shtator 2020.
A.D., nga Gjakova dyshohet se në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër N.Ll., nga fshati Osek Pashë nga komuna e Gjakovës, kanë kryer veprën penale të grabitjes.
Aktakuza ndaj të akuzuarve A.D., dhe N.Ll, është ngritur më 31 janar të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Sipas aktakuzës, e akuzuara me inicialet A.D., më 19 dhjetor të vitit të kaluar bashkë me të dashurin e saj të mitur A.B., duke i ndarë rolet planifikojnë që të thërrasin të dëmtuarin A.B1, ku e akuzuara A.D., kontakton përmes rrjetit Snapchat me të dëmtuarin të cilin e bind që të shkojë në banesën e saj. I njëjti pasi shkon në banesën e të akuzuarës A.D., i kërkon të ketë marrëdhënie seksuale, aty e akuzuara përmes telefonit e njofton të dashurin e saj i cili sipas marrëveshjes paraprake po qëndronte në lokalin “Kaos shisha bar” së bashku me të akuzuarin N.Ll. I mituri A.B., kishte me vete një shufër prej gome, të cilët menjëherë hynë në banesë, ku fillimisht e kishin pyetur të dëmtuarin se “kush jeni ju” e më pas e kapin për krahu pasi e ngritin në këmbë e kanë kontrolluar ku nga xhepi i pasëm i pantallonave i marrin portofolin në të cilin kishte 185 euro para të gatshme, e më pas që të tre të dëmtuarin e shoqërojnë duke kapur për krahu deri tek hoteli “Pashtriku” pikërisht te vendi ku ndalen taksistët duke kanosur “që nëse rastin e paraqet ne polici kena më të gjetë ku je e ku s’je”./Gazeta Sinjali/