image Masa disiplinore për zv/drejtorin e dyshuar për sulm seksual ndaj nxënëses, flasin nga Drejtoria e Arsimit - Sinjali

Masa disiplinore për zv/drejtorin e dyshuar për sulm seksual ndaj nxënëses, flasin nga Drejtoria e Arsimit

news image

Sot në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë u protestua pas rastit që ndodhi dy ditë më parë, ku zv/drejtori i kësaj shkolle, Atom Krasniqi dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur, në ambientet e shkollës.

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë do të përballet me masa ndëshkuese për shkak të këtij rasti.

Këtë e bëri të ditur për Gazetën Sinjali, ushtruesi i detyrës nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Malishevës, Enver Mazreku, i cili deklaroi që së shpejti ndaj të dyshuarit pritet të merret vendim.

“Aktualisht çështja sa i përket neve si institucione që e trajtojmë këtë problem është në zyrën e kryetarit dhe kjo e fundit së shpejti do të del me një qëndrim rreth masës disiplinore, e cila do të merret ndaj të dyshuarit”.

Ai për Sinjalin tha se “Është çështje ekskluzive në aspektin institucional dhe vendos zyra e kryetarit, sepse drejtorin dhe zv/drejtorin të institucione arsimore e emëron apo e shkarkon organi që emëron”.

Sipas tij, çdo masë disiplinore që do të ndodhë do të vendos zyra e kryetarit e cila do të vlerësoj anën ligjore.

Ai për fund deklaroi se “Çdo konstatim i yni përtej këtij realcioni zyrtarë mendoj që është i paqëndrueshëm”.

Sinjali ka mësuar se për rastin në Polici e ka paraqitur babai i nxënëses, i cili pretendon se zëvendësdrejtori i këtij gjimnazi e ka sulmuar seksualisht të bijën e tij, në njërën nga banjot e shkollës.

Sipas tij, vajza ka qenë brenda në tualet, kur aty është futur edhe zëvendësdrejtori i cili dyshohet se ka filluar ta sulmojë seksualisht të miturën.

Ndërkohë, sot i dyshuari pritet të dalë para Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Nga Drejtoria e Policisë në Gjakovë për Sinjalin kanë konfirmuar se në lidhje me rastin është intervistuar i dyshuari si dhe disa dëshmitarë.

Nga kjo drejtori kanë bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin