image Dy vjet burg ndaj të pandehurit për posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të drogës - Sinjali

Dy vjet burg ndaj të pandehurit për posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të drogës

news image

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit që akuzohet për veprën penale ‘blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, Drilon Haraçia e shpalli fajtor për veprën penale dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjet dhe njëmijë euro gjobë, pasi që pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, i pandehuri M.B, e ka pranuar fajësinë sipas aktakuzës.

I pandehuri M.B, akuzohet se me datën 24 qershor 2021, gjatë bastisjes nga ana e policisë në shtëpinë e tij në katin e dytë të shtëpisë tek dhoma e tij, janë sekuestruar tetë qese të mbushura, me substancë të llojit Marihuanë, një kavanoz i mbushur me substancë të llojit Marihuanë, një qese të mbushur me substancë narkotike të llojit Kokainë në peshë rreth 1.36 gram, dy peshore digjitale të cilat shërbejnë për matjen e narkotikut, ndërsa brenda në një aneks të shtëpisë (shupë) janë gjetur njëzet qese të paketuara dhe të mbushura me substancë narkotike të llojit Marihuanë, e gjithë kjo sasi e substancës narkotike-kanabis (Marihuanë) në peshë prej 986,76 gramë.

Gjykata ka urdhëruar që ndaj të pandehurit M. B., të konfiskohen mjetet monetare në shumën prej pesëqind e tridhjetë (530) € , si mjete të përfituar nëpërmjet kryerjes së veprës penale dhe të bëhet shkatërrimi i substancës narkotike. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: