image Dënohet me 2 vjet e 8 muaj burgim i akuzuari për tentim vrasjen në Gjakovë - Sinjali

Dënohet me 2 vjet e 8 muaj burgim i akuzuari për tentim vrasjen në Gjakovë

news image

I akuzuari për tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Hajredin Zeneli, është gjetur fajtor dhe është dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Sipas aktakuzës, Zeneli kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Fatlind Ahmetaj, më 4 mars 2021, në Jabllanicë të Gjakovës, si dhe i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit tjetër, Labinot Ahmetaj.

Sipas aktgjykimit që është shpallur të hënën nga trupi gjykues, fillimisht Zeneli për veprën penale të tentim vrasjes është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim, kurse për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor me 6 muaj burgim.

Më pas, ndaj të njëjtit për të dy veprat penale është shqiptuar dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjet e 8 muaj burgim.

Kundër këtij aktgjykimi ankesë në Gjykatën e Apelit ka paralajmëruar avokati i tij.

Sipas avokatit, gjykata e ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, e cila sipas tij ka rezultuar edhe me shkeljen e ligjit penal në dëm të të akuzuarit.

“Se nuk ka ekzistuar dashja për kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë është vërtetuar edhe me administrimin e provave personale – dëshmitarët, por edhe me provat materiale ku ekspertiza mjekoligjore dhe vetë eksperti në seancë ka deklaruar se dy lëndimet e shkaktuara janë lëndime të lehta trupore, e si të tilla përbëjnë jo rrezikshmëri për jetën. Edhe vetë pala e dëmtuar e ka sqaruar se nuk ka pasur motiv në këtë rast për vrasje në tentative” , tha avokati Selimaj për “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Hajredin Zeneli më 4 mars 2021, në Jabllanicë të Gjakovës, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Fatlind Ahmetaj.

Siç thuhet në aktakuzë, pasi që fjalosen mes vete dhe pasi që biseda ishte tensionuar, i akuzuari Zeneli e kishte nxjerrë briskun nga xhepi i majtë i jaknes dhe e kishte goditur të dëmtuarin dy herë në qafë, e disa herë në shpinë dhe në bark, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së, e cila është̈ e dënueshme me jo më pak se pesë vjet burgim. Ndërkaq, neni i Kodit Penal përcakton rrethanat kur vepra nuk kryhet por mbetet në tentativë. Aty, parashihet dënimi sikur vepra të ishte kryer, megjithatë, ia lë mundësinë gjyqtarit ta zbusë dënimin.

Zeneli thuhet se ka kryer edhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 pika 1.4, përkatësisht për lëndimet trupore që ia ka shkaktuar të dëmtuarit Labinot Ahmetaj, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin