image Shtatzëna nga Prizreni që dyshohet se u dhunua në motel jetonte aty bashkë me burrin/ I dyshuar pronari

Siguri

Shtatzëna nga Prizreni që dyshohet se u dhunua në motel jetonte aty bashkë me burrin/ I dyshuar pronari

news image

Një grua nga Prizreni ka raportuar më 3 maj në Polici se është dhunuar në mars të këtij viti në një motel në Reqan, derisa ishte në muajin e katërt të shtatzënisë. 35-vjeçarja ka shkuar bashkë me burrin e saj në Polici për ta raportuar rastin që i kishte ndodhur rreth dy muaj më parë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali ju sjell më shumë detaje për këtë rast.

Sipas burimeve të Sinjalit viktima dhe burri i saj kanë banuar në motelin në Reqan ku ajo thotë se është dhunuar, pasi pronari, i dyshuar për këtë rast, ua kishte lëshuar një dhomë pa pagesë.

35-vjeçarja ka deklaruar në Polici se rasti ka ndodhur rreth orës 16:00, por nuk e di saktë në cilën ditë të muajit mars. Ajo ka deklaruar se në dhomën e saj ka hyrë 44-vjeçari, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.

Por çfarë ka deklaruar në Polici i dyshuari?

Gazeta Sinjali mëson se 44-vjeçari (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ashtu siç pretendon viktima.

I njëjti është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe ka mohuar kategorikisht se ka kryer veprën për të cilën po dyshohet.

Sipas të njëjtave burime, hetuesit po provojnë të gjejnë dëshmi se një gjë e tillë ka ndodhur përmes kamerave të motelit.

Edhe viktima edhe i dyshuari janë nga Prizreni.

Ndryshe, për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Prizren Mars-2021.  Viktima femër kosovare me 03.05.2021 ka raportuar se në kohën e cekur (nuk dihet data e saktë) i dyshuari mashkull kosovar, ka kryer marrëdhënie seksuale me të kundër dëshirës së saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, ka bërë të ditur policia.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/