Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, Policia ka bërë të ditur se janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje, shkruan Gazeta Sinjali.
Rastet e dhunës në familje kanë ndodhur në Lipjan, Viti, Prizren, Malishevë, Vushtrri dhe dy në Prishtinë.
Të dyja rastet në Prishtinë kanë përfunduar me arrestimin e dorasit, pasi që në rastin e parë një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte bashkëshorten e tij, ndërsa rasti i dytë pas një zënke verbale që një person kishte pasur me bashkëshorten e tij ka përfunduar edhe me sulm fizik. Lidhur me rastin viktima pas pranimit të tretmanit mjekësor është dërguar në strehimore.
Ndërkohë, rasti i tretë ka ndodhur në Lipjan, ku një person është shoqëruar në Stacionin Policor nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 13:00.
Edhe në qytetin e Vitisë ka ndodhur një rast i dhunës në familje, ku një grua është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që e njëjta dyshohet se ka sulmuar fizikisht kunatin e tij. Në raportin e Policisë raportohet që nuk ka të lënduar.
Rasti tjetër ka ndodhur në Prizren, ku një person është arrestuar, pasi që pas një mosmarrëveshje verbale që kishte me bashkëshorten e tij, dyshohet se e ka kërcënuar dhe sulmuar fizikisht. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në qytetin e Malishevës, ku ka përfunduar me arrestimin e një personi, pasi që i njëjti dyshohet që e ka sulmuar bashkëshorten e tij, shtetase e Shqipërisë. Raportohet se viktimës i është ofruar tretmani mjekësor, derisa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti i shtatë i raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë ka ndodhur në Vushtrri, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe më pas lidhur me rastin Policia e Kosovës e ka arrestuar. Viktima raportohet se nga plagët e marra ka pranuar tretman mjekësor.