Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës njoftohet nga QKUK-ja për të miturat që dërgohen në këtë institucion shëndetësor qoftë për të lindur, apo për shkak të komplikimeve gjatë shtatzënisë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, pasi një e mitur ishte dërguar në Klinikën Gjinekologjisë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se e mitura, 16-vjeçare ka abortuar, si pasojë e telasheve shëndetësore në shtatzëni.
Nga të njëjtat burime, Sinjali mëson se Klinika e ka njoftuar Policinë, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për ta verifikuar vajzën që ka kryer abort, si dhe burrin e saj.
Sipas informatave të para, e mitura është e martuar me një 28-vjeçar, ndërkohë që pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.