Konsumimi i substancave narkotike është një dukuri negative e cila ka prekur një numër të madh të të rinjve në të gjitha qytetet e Kosovës. Çdo ditë raportohen raste kur të rinj kapen nga Policia për posedim të substancave narkotike të llojeve të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar dje pasdite, ku një 16-vjeçar është kapur me drogë pasi shkoi të kërkojë ndihmë mjekësore në një Qendër të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Sinjali mëson se i mituri kishte pësuar lëndime trupore si pasojë e rrëzimit me trotinet, për çka kishte shkuar në QMF të marrë tretman mjekësor.
16-vjeçari teksa po bëhej gati për t’iu nënshtruar kontrollit nga ana e mjekut, nga rrobat e tij ra një qese me substancë të dyshuar të narkotikëve.
Për shkak të kësaj, mjeku kujdestar është detyruar të denoncojë rastin në Polici, me ç’rast i mituri është shoqëruar nga zyrtarët policor në stacion për intervistim.
Burimet thonë se për shkak të lëndimeve të marra nga rrëzimi, 16-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të deklarohet lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope apo analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.