image Shkatërrohet grupi kriminal serbë, sekuestrohen 115 kilogramë kokainë dhe arrestohen 7 persona

Evropë

Shkatërrohet grupi kriminal serbë, sekuestrohen 115 kilogramë kokainë dhe arrestohen 7 persona

news image

Në Belgjikë, Luksemburg dhe Holandë është shkatërruar një rrjet i kontrabandistëve të drogës të udhëhequr nga serbët, njoftoi agjencia e Bashkimit Evropian Eurojust.

Mediat e huaja, bëjnë me dije se shtatë persona u arrestuan dhe u sekuestruan 115 kilogramë kokainë.

“Eurojust koordinoi një operacion të fundit në të cilin u arrestuan shtatë anëtarë të një rrjeti të trafikut të drogës të udhëhequr nga serbët në Belgjikë, Luksemburg, Holandë dhe Serbi. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithsej 115 kilogramë kokainë, dhe Europol dha mbështetje analitike”, njofton Eurojust.

Grupi i krimit të organizuar trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut nëpërmjet Holandës dhe Belgjikës në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, shkruan Euronews Serbia, transmeton Klankosova.tv.

Mësohet se trafikantët e fshihnin drogën në pllaka betoni.

Operacioni i arrestimit u krye më 26 nëntor dhe u sekuestruan 22 pllaka betoni, secila prej të cilave përmbante disa pako me kokainë. Droga ishte fshehur në një magazinë në qytetin belg Arlon, ku u arrestuan katër të dyshuar.

/GazetaSinjali/