image Shitblerja e “dijes”

Arsim

Shitblerja e “dijes”

news image

Shitblerja e punimeve, me të cilat studentë të caktuar diplomojnë në nivelin ‘bachelor’ dhe ‘master’ në universitetet dhe kolegjet në Kosovë, tash e disa vite, është shndërruar në dukuri, thonë hulumtues nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.

Kjo organizatë, qysh në vitin 2017, ka publikuar një hulumtim, që ka nxjerrë në pah, sipas saj, dukurinë e shitblerjes së punimeve për diploma universitare.

Së voni, hulumtimit i është bërë një përditësim, i cili, siç thuhet, veçse e ka konfirmuar dukurinë.

“Mjafton një kërkim në rrjete sociale ose në faqe të marketingut në internet dhe mund të gjesh shumë opsione [të temave]”, thotë Besnik Boletini, hulumtues në “Çohu”.

Sipas tij, ka grupe që kanë bërë edhe “koleksione të temave” dhe individët “mund të zgjedhin çfarë duan”.

“Ne kemi gjetur se këto tema të diplomës shiten pa asnjë problem, përmes emaileve, përmes numrave të telefonit… Kostoja e tyre sillet prej 150 deri në 200 ose 300 euro, varësisht llojit të temës”, thotë Boletini.

Ofertuesit nuk i mohojnë “ofertat për tema të diplomës”

Radio Evropa e Lirë ka hulumtuar në rrjetet sociale dhe në disa faqe marketingu dhe ka gjetur disa “oferta” për tema të diplomave, të bëra nga persona anonimë, që japin vetëm adresat e tyre elektronike dhe numrat e telefonit.

Redaksia i ka kontaktuar disa përmes telefonit. Ata nuk kanë mohuar se ofrojnë tema të diplomave, por nuk kanë dashur të japin detaje dhe as të identifikohen me emra.

Në disa faqe të marketingut, ofertues të caktuar kanë shkruar se ofrojnë “asistencë” gjatë punimit të temave të diplomës dhe këtë “asistencë” e arsyetojnë si formë të lekturës dhe redaktimit të temave të diplomimit dhe të punimeve seminarike.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Policinë e Kosovës rreth ndjekjes së mundshme të këtyre rasteve. Por, nga ky institucion kanë thënë se nuk mund të japin shifra të sakta të ndjekjeve dhe arrestimeve, pasi shitja e diplomave klasifikohet si “falsifikim” dhe ajo nuk është e ndarë nga veprat tjera që klasifikohen njësoj.

Bahtiri: Përgjegjësit për fenomenin janë të shumtë

Prorektori për zhvillim dhe cilësi i Universitetit të Prishtinës, Elton Bahtiri, pranon se dukuria e shitblerjes së diplomave ekziston dhe thotë se përgjegjësia bie te disa.

“Jo vetëm studentët, të cilët përfitojnë, në njëfarë mënyre, përmes një rruge të shkurtër për të ardhur deri te një punim i diplomës… por janë edhe këta që mund t’i konsiderojmë si ‘tregtarë’ të punimeve të diplomës. Përgjegjësi kanë edhe mentorët e këtyre kandidatëve [studentëve që diplomojnë], sepse ata janë të ngarkuar me kandidatin, për ta përcjellë nëse i zbaton kërkesat e një punimi të diplomës, ashtu siç kërkohet me rregulloren e studimeve përkatëse”, thotë Bahtiri.

Vetëm një vit më parë, shton ai, Universiteti i Prishtinës ka miratuar një rregullore për masat dhe procedurat disiplinore, përmes së cilës, studentët që tentojnë të diplomojnë me punime të blera, sanksionohen.

Masat disiplinore, sipas Bahtirit, parashohin pezullimin e përkohshëm të kandidatit nga studimet e mëtejme e deri te përjashtimi i plotë nga Universiteti.

“Nga tash një vjet e kemi këtë rregullore. Si instancë e parë e paraqitjes së pretendimeve, janë komisionet disiplinore përkatëse, në nivel të njësive akademike. Unë nuk kam arritur të marr informata mbi gjendjen atje. [Por] ka raste…”, thotë Bahtiri.

Diploma si “formalitet”

“Çohu” ka organizuar një konferencë me këtë temë më 24 maj. Duke folur në këtë ngjarje, profesori në Kolegjin AAB në Prishtinë, Xhavit Rexhaj, ka thënë se çështja e “matrapazllëkut” me punime të diplomës, nuk është e rastësishme në Kosovë.

“Ajo krijohet, sepse krijohet edhe kërkesa për to [punime të diplomës]. Nëse profesori nuk e kryen punën e vet si duhet, nëse universiteti e heq motivimin, nxitjen e mësimdhënësve për punë cilësore, nëse [individit] kur shkon të konkurrojë për punë, i thonë ‘të duhet një diplomë’ dhe jo ‘të duhen shkathtësitë’, normalisht që krijohet kërkesa për ta marrë atë diplomë”, ka thënë Rexhaj.

Kosova, në raporte të ndryshme ndërkombëtare, është kritikuar për cilësi të dobët në arsim, nisur nga cikli i ulët e më lart.

Sipas Besnik Boletinit, fenomeni i shitblerjes së diplomave është nxitur pikërisht nga, siç thotë ai, “zhvlerësimi” i procesit të diplomimit në universitete dhe kolegje të caktuara.

“Unë supozoj që profesori ose komisioni, që është bashkë me mentorin, për herë të parë njihen me materialin aty, gjatë mbrojtjes së temës së diplomimit. Ky është një prej problemeve kyçe, sepse nëse profesori punon bashkë me studentin gjatë temës, është e pamundshme që të kalojë aq lehtë një temë e blerë në këtë mënyrë”, thotë Boletini.

Ai shton se, nga bisedat me disa profesorë, ka dalë një ide për luftimin e fenomenit, që është aplikimi i softuerëve që i detektojnë përmbajtjet e ngjashme dhe plagjiaturat.

Boletini thotë se kusht i domosdoshëm për studentët e niveleve ‘bachelor’ dhe ‘master’ do të duhej të ishte inkorporomi i punimeve – me të cilat ata diplomojnë – në një sistem të përbashkët të universiteteve dhe kolegjeve në Kosovë. Kjo, sipas tij, do të krijonte një bazë të të dhënave, e cila do të bënte një lloj detektimi të temave, në mënyrë që ato të mos kalojnë pa asnjë lloj filtri.

Në vitin akademik 2019/2020, në institucionet e larta arsimore në Kosovë, në nivelin ‘bachelor’, kanë diplomuar afro 6,000 studentë – prej tyre 3,870 në Universitetin e Prishtinës, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Sipas tyre, në të njëjtin vit akademik, 1,657 studentë kanë diplomuar në nivelin ‘master’; 1,238 nga ta në Universitetin e Prishtinës.

/GazetaSinjali/