Xherdan Shaqiri thuhet se është duke i numëruar ditët e fundit te Liverpooli, pasi që pritet të largohet në afatin kalimtar të verës, transmeton Sinjali Sport.
Reprezentuesi i Zvicrës ka humbur vendin e titullarit në skuadrën e Jurgen Klopp, dhe ka bërë vetëm shtatë paraqitje si startues në të gjitha garat në këtë sezon.
Pavarësisht interesimit të raportuar nga klube të shumta afatin kalimtar të janarit, Shaqiri mbeti në “Anfield Road” për gjysmën e dytë të sezonit.
Sipas “Football Insider”, 29-vjeçari i ka thënë agjentit të tij për t’i gjetur atij një klub të ri për edicionin 2021-22.
Është pohuar se Serie A është destinacioni më i mundshëm i ardhshëm për Shaqirin, me Romën dhe Lazion të interesuar për shërbimet e tij, ndërsa një lëvizje në ekipin e La Ligas, Sevilla është një tjetër mundësi që po shqyrtohet.
Më herët në afatin kalimtar të janarit, futbollisti nga Zhegra e Gjilanit kishte oferta nga skuadrat e Superligës turke, mirëpo pa pasur diçka konkrete. /Gazeta Sinjali Sporti/