image Serbia e dënon me dhjetë ditë burgim zyrtarin komunal nga Leposaviqi

Politikë

Serbia e dënon me dhjetë ditë burgim zyrtarin komunal nga Leposaviqi

news image

Drejtori i administratës në Komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës, Nikolla Radomiroviq, është dënuar me dhjetë ditë burgim në Serbi për “posedim të armës së ftohtë”. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Gjykata për Kundërvajtje në Rashkë, në jugperëndim të Serbisë.

“Aktgjykimi nuk është juridikisht i detyrueshëm, sepse kundër këtij aktgjykimi kanë parashtruar ankesë i pandehuri dhe parashtruesi i kërkesës, andaj procedura ankimore është në vazhdim e sipër”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Kundërvajtje nga Rashka.

Radoica Radomiroviq, babai i të arrestuarit Nikolla, pretendon se bëhet fjalë për një “aktgjykim të motivuar politikisht” dhe se i gjithë rasti është “montuar” sepse ai dhe djali i tij kanë qenë të angazhuar politikisht në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.

Radoica Radomiroviq është zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai, gjithashtu, beson se ndaj tyre ekziston një “ndjekje”, sepse ata publikisht shprehin “pikëpamje të ndryshme nga Lista Serbe”, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Ndërkohë, nga Prokuroria Themelore Publike në Rashkë thanë për REL-in se “ndaj Nikolla Radomiroviqit nuk është ngritur kallëzim penal për ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja bëhet sipas detyrës zyrtare”, por se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka paraqitur kërkesë për të filluar procedurën e kundërvajtjes ndaj tij.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 9 shtator ka njoftuar opinionin se Nikolla Radomiroviq është arrestuar në territorin e Serbisë.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai fajësoi policinë serbe për arrestimin “e padrejtë” të Nikolla Radomiroviqit për shkak se ai është pjesë e institucioneve të Kosovës pavarësisht “presionit” nga Beogradi. Ai kërkoi që Radomiroviqi të lirohet menjëherë dhe të ndalen presionet e aktet e paligjshme ndaj serbëve të Kosovës që janë “besnikë ndaj vendit të tyre”.